Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën detare pranë ishujve të Ksamilit, ku është gjetur i pajetë një 61-vjeçar. Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, peshkatar. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det. Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur edhe mjetin e tij lundrues, i cili rezultonte i fundosur.
Sipas burimeve, Zoi dyshohet të ketë dalë në det që të martën para se zona të përfshihej nga stuhia e fortë me erë dhe dallgë të mëdha.
Sipas burimeve paraprake, 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri, ai rezulton të ketë vetëm një motër.
“Sot, rreth orës 11:00, përballë Ishujve të Ksamilit, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, peshkatar. Nga këqyrja paraprake e kryer në vendngjarje dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi dyshohet se kishte dalë për peshkim. Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari dyshohet se kishte dalë për peshkim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.


