Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë për 18 personat e arrestuar pak ditë më parë lidhur me tjetërsimin e 68 mijë metër katrorë tokë pranë Kepit të Rodonit. Mësohet se 10 prej tyre janë lënë me burg ndërkohë që për 8 të tjerë është caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit dy ditë më parë, u bë me dije se të gjithë personat janë përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të tokave. Bëhet fjalë për një tokë pranë Kepit të Rodonit, në fshatin Bizë dhe mbi këtë sipërfaqe nuk janë bërë ndërtime.
Këtë sipërfaqe toke ata ia kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit. Gjithçka është zbuluar nga një kontroll që është kryer në vitin 2018, ku janë vërejtur paligjshmëri në regjistrimin e dokumenteve që shërbeu si pikënisje për të çelur hetimet.


