Prej rreth dy orë në Gjykatën e Dibrës seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj bashkëshortes dhe djalit të Urim Fikut, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 61-vjeçarit. Ngjarja ndodhi më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës.
Sipas informacioneve nga brenda gjykatës, Sadete Fiku dhe djali i saj, Gazmir Fiku, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit. Ata mësohet të jenë shprehur para gjykatës: “Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”. Deri në këto momente nuk është marrë ende një vendim për masën e sigurisë, ndërsa seanca vijon. Policia njoftoi një ditë pas ngjarjes arrestimin e Sadete Fikut, 57 vjeçe, dhe djalit të saj 33-vjeçar, Gazmir Fiku, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 61-vjeçarit.
Fillimisht u pretendua se Urim Fiku ishte sulmuar nga një ari, por ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Tiranë zbuloi se ai kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në gjoks. Dyshimet e policisë u shtuan edhe pas konstatimit të dëmtimeve në kokë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas raportimeve, familjarët e kishin dërguar 61-vjeçarin në spitalin e Bulqizës, ku ai kishte mbërritur pa shenja jete. Ata nuk kishin pranuar që trupi i pajetë të përgatitej nga personeli i spitalit, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.


