Një tjetër talent i futbollit shqiptar zbarkon në Kroaci, me synimin për të bërë hapin e rëndësishëm për rritjen profesionale dhe një karrierë të suksesshme në elitën e këtij sporti.
18-vjeçari Arbër Mehmetllari ka firmosur për katër vjet me Lokomotivën e Zagrebit, klubi paralel i Dinamos së Zabrebit që merr pjesë në HNL, divizionin kryesor në Krocia, ku aktualisht mban vendin e parë me tre fitore dhe një barazim pas katër javësh.
Mehmetllari, lindur në vitin 2000 në Tiranë, ka qenë fillimisht lojtari i Akademisë së Futbollit Dinamo me trajnerë Ilir Daja e Saimir Malko, më pas u vazhdoi rritjen e tij te Akademia e Futbollit nën trajnimin e Alban Bushit dhe Alpin Gallos.
Mehmetllari, që është grumbulluar edhe nga Bogdani në Shqipërinë U-19, u testua dy herë te Lokomotiva e Zagrebit dhe prej një muaji është pjesëtar i rregullt i këtij klubi. Pasi kaloi me sukses të gjitha testet, kroatët vendosën t’i ofrojnë një kontratën katër-vjeçare, e para si profesionist për këtë sulmues të talentuar.
Specialistët e Lokomotivës u bindën plotësisht gjatë një turneu U-19 që u zhvillua në Utrecht të Holandës, ku Mehmetllari u shpall golashënuesi më i mirë.
Në testin “Gacon”, zhvilluar pak ditë më parë në Zagreb, ai doli i pari me VAM 21, rekord për moshën e tij, i denjë për ekipin e parë.
Ai ka firmosur deri në qershor 2022 me Lokomotivën. Në sezonin që vijon do të aktivizohet me ekipin U-19, për të marrë minutat, shumë të nevojshme për këtë moshë, të cilat nuk mund t’ia garantojë ekipi i parë.
Një vit më pas do të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Goran Tomic.
“Më është dhënë mundësia të realizoj një ëndërr. Duke punuar fort, me profesionalizëm dhe përkushtim, Lokomotiva e Zagrebit përbën vendin ideal për t’u rritur si futbollist,” – u shpreh 18-vjeçari.
Te Lokomotiva e Zagrebit është i pranishëm edhe një tjetër lojtar me gjak shqiptar, kosovari Lirim Kastrati, pjesë e rregullt e formacionit të ekipit bardheblu.