Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka votuar kundër bashkimit të kësaj bashkie me Tepelenën. Bëhet me dije se nëntë anëtarë të Këshillit Bashkiak votuan kundër draft-projektit, ndërsa një tjetër abstenoi.
Në mbledhje morën pjesë 10 nga 15 këshilltarë, ndërsa përfaqësuesit socialistë nuk morën pjesë në votim. Vendimi erdhi pas dëgjesave publike të zhvilluara në të pesë njësitë administrative të Bashkisë Memaliaj, ku banorët kundërshtuan bashkimin me Tepelenën.
Gjatë konsultimeve me komunitetin, shqetësimet kryesore kanë qenë ruajtja e shërbimeve pranë qytetarëve, rreziku i thellimit të shpopullimit dhe pasojat ekonomike që bashkimi mund të ketë për bizneset dhe jetën lokale. Me këtë votim, Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka formalizuar qëndrimin kundër draft-projektit në pjesën që parashikon ndryshimin e organizimit territorial të kësaj bashkie.


