Avokatët deputetit demokrat Ervin Salianji kanë depozituar një ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës, një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit shpalli disa ditë më parë vendimin e formës së prerë për Ervin Salianjin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e kishte dënuar me 1 vit burg.
Përveçse do të përfundojë pas hekurave, Salianji do të humbasë edhe mandatin si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës.
Neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Ndërkohë që së bashku me këtë kërkesë, avokatët kanë përgatitur edhe shkresën për pezullim të vendimit në Gjykatën e Lartë, e cila do të dorëzohet së bashku me rekursin sapo të zbardhet vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Apelit.
Deputeti demokrat, Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për kallëzim të rremë në rastin e dosjes “Babalja”. Audiopërgjimi i Agron Xhafajt, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj u rrëzua nga Prokuroria dhe u konsiderua provë e falsifikuar.
Prej pasdites së djeshme 27 shtator, Ervin Salianji po vuan në Burgun e Fierit dënimin me burg, ndëshkim të cilin ai e konsideron të motivuar politikisht dhe hakmarrje nga ana e mazhorancës për shkak të denoncimeve të vazhdueshme ndaj qeverisë dhe ministrave.
Trupa e gjyqtarëve që dënoi Salianjin përbëhej nga Iliba Bezati, Elona Toro dhe Genti Shala. Në një reagim për mediat, Gjykata e Apelit njoftoi se vendimi ndaj deputetit demokrat u mor në mënyrë unanime.


