Avokati shqiptar Aineo Redo u gjet i vdekur ditën e djeshme në Itali me fytin e prerë.
Familja dhe miqtë e 49-vjeçarit kanë mbetur të shkuar nga ngjarja, ndërsa tregojnë se ai ishte i ndershëm, dhe se të gjithë kilientët e tij e donin.
Kolegu dhe miku i tij italian, Mario Di Frenna shprehet i shokuar ndërsa tregon kur e ka takuar për herë të fundit. Ai thekson se Redo ka ndihmuar shumë shqiptarë në Itali.
“E kam parë Aineon për herë të fundit mbrëmë (të mërkurën) kur bëmë një lojë futbolli. U përshëndetëm rreth orës 23:30. Ai më tha shihemi në zyrë. Por të nesërmen, kur mbërrita, nuk ishte aty. Pastaj më telefonuan karabinierët. Aineon e donim të gjithë, vlerësohej nga klientët dhe komuniteti shqiptar, të cilin ai e ndihmoi shumë. Ai ishte avokat i zgjuar, i ndershëm, i dashur dhe gazmor. Ai nisi çdo gjë nga e para këtu pasi erdhi nga Shqipëria. Ndërtoi me sakrifica një rrugë të shkëlqyer në karrierë”- tha ai.
Në vitin 1996, avokati Redo, me origjinë nga Bulqiza, hipi në një gomone me rreth 30 bashkatdhetarë të tjerë dhe zbarkoi në Pulia.
“Me vete kishte vetëm pasaportën dhe rrobat”, tregon Di Frenna.


