Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme do të bëhej i ditur lajmi se vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka kishte mbetur i vrarë me armë zjarri në makinën e tij. Sipas raportimeve trupi i pajetë i tij është gjetur në orë 04:25 të mëngjesit të sotëm nga forcat e policisë.
Familjarët do të deklaronin se kishin dëgjuar shtëna në orën 02:30, për të cilat kishin menduar se ishin fishekzjarre pasi jemi në periudhën e festave të fundvitit.
Aleksandër Ndoka nuk kishte të shkuar kriminale, ndryshe nga vëllai i tij, Arben Ndoka, i cili ka qenë mjaft i përfolur në politikën shqiptare si një person i implikuar në krime të ndryshme në Shqipëri dhe Itali.
Por cilat kanë qenë ngjarjet më të bujshme që e kanë shoqëruar ish-deputetin, Arben Froku që nga koha e marrjes së mandatit të deputetit në vitin 2013?
KRONOLOGJIA
Ish deputeti i Partisë Socialiste do të dorëzonte mandatin në muajin shtator të vitit 2015, përmes një letre të hapur dërguar PS-së. Ai tregoi në letër jetën e tij dhe arsyet se pse po jepte dorëheqjen nga posti si deputet i Partisë Socialiste.
Fillimisht ai jepte shpjegime të detajuara mbi ngjarjet e ndodhura në Itali në vitin 1991, kur ai ishte 16 vjeç. Akuzat e drejësisë italiane ai i quante një kurth të ngritur prej një polici italian, i cili u lidh me ish të fejuarën e të vëllait.
Në fund të letrës, Ndoka do e mbyllte me: “Do të mbetem nga larg sallës së Parlamentit një mbështetës besnik i përpjekjeve që ju bëni në atë sallë me disa kriminelë të vërtetë të këtij vendi dhe ma bëni hallall çdo siklet që kaluat për hatrin tim në këto dy vjet betejash për të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku zhyten kriminelët e vërtetë”.
Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Arben Ndoka, asokohe do të artikulonte edhe një akuzë bombë në drejtim të Parlamentit shqiptar. Gjatë një interviste për emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, ai deklaronte se në legjislativin shqiptar janë edhe 70 deputetë që kanë biografi të ngjashme me të tijën.
Ish deputetin e PS e kanë shoqëruar një lumë akuzash ndaj tij, të cilat cuan deri në dorëzimin e mandatit. Opozita e akuzonte vazhdimisht si një person të implikuar me krimin që nga koha kur Ndoka ishte emigrant në Itali.
Akuzat nuk do të mungonin as nga Ambasadori Amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i cili do të shprehej se Ndoka do të ishte një ndër dëshmitë se politika shqiptare është e lidhur me krimin.
Ndoka do t’i përgjigjej ambasadorit se situata të cilën kaloi pasi iu hoq mandati i deputetit, ishte rrjedhë e fatit, dhe se nuk e shihte veten tek ata që kanë bërë krime politike.
Në vitin 2014 Partia Demokratike do të akuzonte Arben Ndokën, si një person cili rezultonte i dënuar nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Këto akuza nga Partia Demokratike, Ndoka do t’i quante thjesht politike, dhe te pabazuara në fakte apo prova pasi ai ka jetuar gjithmonë në Shqipëri.
Në qershor të këtij viti Ndoka do të akuzohej sërish nga kreu i opozitës, Lulëzim Basha, I cili do të deklaronte në emisionin ‘Top Story’ se Arben Ndoka është autori i rrahjes së nënkryetarit të Këshillit të Qarkut të Lezhës, Agustin Marku, ish-deputet i PS-së. Ndërkohe Marku nuk kishte bërë kallëzim në Polici.
Po ashtu një rast tjetër i denoncuar nga mediat online do të ishte se Ndoka kishte rrahur babain e një zyrtari të Tatimeve të Lezhës. Fill pas këtij lajmi do të vinte edhe përgënjeshtrimi nga ana e policisë së personi në fjalë nuk ishte dhunuar por i kishte rënë të fikët në ambjentet e punës. Më pas do të vinte edhe reagimi i opozitës e cila do ta cilësonte si një fshehje e ngjarjes nga ana e Policisë.
Ndërkohë po ashtu në tetor të këtij viti u arrestua pas shpalljes në kërkim nipi ish-deputetit të PS.
Ai akuzohej se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, së bashku me kushërinjtë e tij plagosën Florian Dushkun, aktivist të LSI-së.
Samuel Ndoka, gjatë arrestimit posedonte edhe një pistoletë me 7 fishekë.
Që prej kësaj ngjarjeje do të vërshonin një lum akuzash nga ish- kryeministri, Sali Berisha. Ndoka me një reagim të ashpër do i përgjigjej Berishës me kundërakuza në të cilat përmendte vdekjen e dy ikonave të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi dhe Kosta Trebicka për të cilët Ndoka shprehej se Berishës i dalin në ëndërr vrasjet që janë bërë me urdhër të tij.
Arben Ndoka fillimisht ka qenë i angazhuar në radhët e PD, e cila e kishte emëruar në disa detyra, njëra prej tyre e rëndësishme siç është ajo e Drejtorit të Inspektoriatit të Lartë Ndërtimor. Më pas ai kaloi në radhët e PS duke u bërë pjesë e listës së saj për deputet në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Pas kësaj dhe telashet nuk kanë të sosur për Arben Ndokën dhe familjharët e tij.
Përgatiti: AlpeNews.al






