Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar sot për mediat lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, duke shprehur kundërshtimin e tij për mënyrën si është hartuar ky projekt. Sipas tij, procesi duhej të kishte nisur me një analizë të thelluar mbi mangësitë e Kodit aktual dhe më pas të ndërtohej një dokument i mirëstrukturuar si bazë për ndryshimet e reja.
“E rëndësishme është pikënisja. Duhet të kuptonim pse ky kod është i pamjaftueshëm për të përballuar sfidat aktuale. Pa një analizë të tillë, produkti final vuan në cilësi. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse projekti ka probleme,” deklaroi Çela.
Ai nënvizoi gjithashtu se institucionit të Prokurorisë nuk iu dha asnjë përfaqësues në grupin e punës që hartoi draftin.
Intervista
Olsian Çela: Besoj se përgjigja ka qenë e qartë dje sa i përket angazhimin në grupin e punës. Ne nuk kemi pasur një përfaqësues në grupin e punës. Ndaj dhe reagimi vjen pasi produkti është bërë i njohur nga ana e grupit të punës.
Pyetje: Pikat më të rëndësishme që ju kundërshtoni ose keni rezerva?
Dua të ritheksoj që kodi që kemi sot i përgjigjet atyre që kanë qenë sfidat e shoqërisë, pra ne aplikojmë një kod i cili ka rezultuar funksional deri sot. Plotësimet që janë dashur të bëhen ndër vite kanë ecur mjaft shpejt dhe sa herë është dashur që legjislacioni jonë të përshtate me ato që janë kërkesat e integrimit ky proces ka ndodhur. Patjetër që mund të ketë nevojë për përmirësime të tjera ose draft të ri, por pikë së pari duhet ta paracaktonim, të kishim vendosur binar në të cilat do vendosej drafti.
Është dokument mjaft voluminoz, është shumë e vështirë që të bëhet debati në një dokument mjaft voluminoz, ndaj është e rëndësishme puna përgatitore.
-Së pari në momentin që po kalon sistemi i drejtësisë ku mbingarkesa është një nga çështjet kryesore, aplikimi i një kodi të ri penal do të thotë një rivlerësim të secilës çështje që është në gjykim, ose hetim në prizmin e kodit të ri, i cili mund të ketë fuqi prapavepruese…kjo do çeli diskutime në shumë raste dhe do të ngadalësojë proceset.
Drafti që është paraqitur është shumë kompleks dhe vetëm njohja e draftit nga ana e magjistratëve do kërkonte mjaft kohë, në mënyrë që të përvetësohet në mënyrë cilësore.
-Së dyti teknika me të cilën është përudhur për tu shkruar drafti është një teknikë mjaft komplekse, është e vështirë, krijon paqartësi dhe natyrisht do krijojë konfuzion se si do të aplikohen dispozitat në rast të kalimit të draftit në formën në të cilën ai është.


