Policia ka vënë në pranga 5 persona lidhur me plagosjen me armë zjarri që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm (13 janar) në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, ku i plagosur mbetur biznesmeni Sino Llanaj ndërsa i lënduar ka mbetur një kalimtar i rastit si edhe roja i pallatit në ndërtim.
Mes personave të ndaluar është edhe biznesmeni Albert Allmuça. Sipas hetimeve, Allmuça ka patur dijeni që në pallatin që po ndërton kanë shkuar një grup personash për t’u konfliktuar.
Në pranga ka rënë edhe ndërtuesi Sino Llanaj 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Llanaj goditi me sende të forta rojen e pallatit.
Dy biznesmenët Llanaj e Allmuça bashkëinvestitor në pallatin që po ndërtohet, kanë konflikte për çështje borxhi.
Ditën e djeshme u plagos në këmbë dhe një kalimtar i rastit, ndërsa roja i pallatit u sulmua me sende të forta.
Vijon…
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”.
Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.