Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia është burimi i vetëm i destabilitetit në rajon, duke e akuzuar për veprime agresive, akte terroriste dhe përpjekje për destabilizimin e shteteve fqinje.
Sipas saj, qëllimi i udhëheqjes serbe është rikthimi i Ballkanit në të kaluarën, ndërsa ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbrojë veten dhe të kundërshtojë çdo tendencë hegjemoniste që vjen nga Beogradi.
Në një intervistë për TRT Balkan, presidentja Osmani, ka folur hapur për Deklaratën për bashkëpunim ushtarak që Kosova ka nënshkruar me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke theksuar se ky është një hap i natyrshëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ajo theksoi se ky bashkëpunim, që ka ekzistuar prej kohësh, tani është formalizuar në një marrëveshje trepalëshe dhe është në përputhje me standardet e NATO-s.
Ajo ka shtuar se Kosova do të mbrojë interesat e saj dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët e NATO-s për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.
“Ne padyshim që do ta mbrojmë vetveten nga këto ide hegjemoniste dhe imperialiste që ka udhëheqja e Serbisë, e cila synon të na kthejë në vitet ’90, të na kthejë në të kaluarën. Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes. Dhe e ardhmja mund të jetë e qetë dhe e qëndrueshme vetëm nëse mund të mbrohemi nga agresorë si Serbia, e cila gjithashtu sjell ndikime të dëmshme në rajon nga Rusia, Kina dhe Irani”, ka theksuar ajo.
Presidentja e Kosovës ka thënë gjithashtu se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit janë të harmonizuara me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian dhe po punojnë ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës tashmë janë duke shërbyer krah për krah me forcat e SHBA-së, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në misione paqeruajtëse në mbarë botën”, ka thënë mes tjerash Osmani.