Shqipëria ka anuluar pjesëmarrjen në samitin e Sarajevës. Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Ministri në Detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm. Cakaj thotë se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.
Ministri në Detyrë Cakaj shkruaj se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. “Qëndrojmë së bashku,” përfundon Cakaj në Twitter. Një ditë më parë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera.
Kosova refuzoi ftesën. Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë doganore 100 për qind ndaj produkteve të Bosnjës dhe Serbisë.


