Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kreu i ARRSH Afrim Qendro, si edhe pronari i kompanisë Gjoka Konstruksion, inspektuan ecurinë e punimeve në rrugën e Arbrit.
“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë dhe është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”. – sqaroi kreu i ARRSH.
Ministri Gjiknuri nga ana e tij vlerësoi ritmet e shpejta të realizimit te rruges. “Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar” – tha Gjiknuri.
Gjatë inspektimit kryeministri Rama nuk kurseu batutat me pronarin e kompanisë Gjoka Konstruksion, në lidhje me bindjet e tij politike, si edhe me afatet e perfundimit te rruges.
Rama: Kur e kemi lënë bashkë?
Gjoka: Ishte katër vjet të kam thënë tre.
Rama: Në prill të 2021 kështu e kemi lënë? Bile bile në 22 mars, kur çel pranvera. Kur ke votuar për herë të parë për PD në 22 mars. Po ç’të bënë mo? Po të sakatuan mo.


