Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektin e investimit të Jared Kushner në Shqipëri, duke ftuar të interesuarit të vizitojnë vendin për të parë nga afër përmasat dhe ambicien e tij. Sipas kreut të qeverisë, projekti synon të kthehet në një model të ri zhvillimi, në harmoni me natyrën.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, Rama u ndal edhe te reagimet dhe protestat e zhvilluara kundër projektit, duke theksuar se ato kanë ndikuar në përmirësimin e tij.
Kryeministri deklaroi se projekti përfshin shumë më tepër sesa emrin e investitorit dhe se rezultatet e tij do të duhet të provohen përmes fakteve.
Ai shtoi se edhe manifestimet e pasqyruara në mediat ndërkombëtare kanë ndihmuar që projekti të përmirësohet dhe të ecë drejt rezultateve që mund të bindin një numër më të madh njerëzish.
Gjatë konferencës, Rama iu përgjigj edhe një pyetjeje të gazetarit lidhur me arrestimin e kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Në përgjigjen e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e funksionimit të drejtësisë, duke deklaruar se askush nuk është mbi ligjin.
Sipas Ramës, Shqipëria ka lënë pas periudhën kur identifikohej si “atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë” dhe tashmë është një prej vendeve pararojë në luftën kundër korrupsionit.
“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh, dhe po ta shihni me kaq filtra të medias online, do të jeni të paqartë. Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën.
Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim. Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet.
Mund ta kuptoni shumë mirë se ç’nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si ‘atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë’. Vijmë këtu sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, tha Rama.


