Kreu i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, ka komentuar rivitalizimin e liqenit të Pukës, i cili ende pa përfunduar së investuari, po frekuentohet buzë mbrëmjeve nga qytetarët dhe vizitorët. Në Pukë po vijon ndërkaq edhe investimi për rikonstruksionin e plotë të spitalit të qytetit.
Këto dy investime, Gjonaj i konsideron si dy elementë të rëndësishëm të qytetit të Pukës.
“Falë angazhimit që po tregon qeveria Rama, kjo qendër infeksioni u kthye në një qendër atraksioni. Përballë liqenit ndodhet edhe spitali, një objekt i braktisur plotësisht, që spital kishte vetëm emrit, por që falë investitorëve u bë i mundur riparimi dhe kthimi në funksionalitet të plotë. Po kështu iu dhurua spitalit edhe një sallë e re operacioni me të gjithë elementet”, u shpreh Gjonaj.
Kryebashkiaku i qytetit verior thotë se një rëndësi e veçantë po i kushtohet mbajtjes pastër të mjedisit, si një element i rëndësishëm për qytetarët dhe turistët. Pas pastrimit rrënjësor të qytetit, tashmë puna është përqendruar në periferi. Por sipas Gjonajt, nuk mjaftojnë vetëm aksionet e pastrimit, por duhet edhe kontributi i vetë qytetarëve.


