Akademik Rexhep Qosja me rastin e shënimit të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka folur për Shqipërinë dhe Kosovën.
Qosja në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se Shqipëria, parë historikisht, ka ecur përpara, është zhvilluar e po zhvillohet, kurse për Kosovën thotë se ka humbur shumë kohë në tri marrëveshjet e gabuara; pranimi i Marrëveshjes së vijës kufitare me Malin e Zi, siç e kërkonte Mali i Zi, krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, siç e kërkonin serbët e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë, dhe krijimi i Gjykatës Speciale.
Akademiku thote se paria e PD-së po bën tek të huajt propagandë antishqiptare.
“Gjatë këtyre viteve, prej se është krijuar shteti shqiptar, Shqipëria, i ka provuar gati të gjitha trajtat politiko-shtetërore dhe kushtetutare-juridike: despotinë, tiraninë, diktaturën, demokracinë, pseudodemokracinë.
Ka provuar rendin njëpartiak dhe rendin shumëpartiak.
Ka provuar totalitarizmin, populizmin, anarkizmin, autoritarizmin!
Tani po përjeton qeverisjen e ligjshme, të përfaqësuar prej të zgjedhurve në zgjedhje të lira e demokratike, dhe përpjekjet mjaft të egra të opozitës për pushtet paralel.
Gjatë këtyre 105 vjetëve Shqipëria ka provuar rënie dhe ngritje, atdhetarizmin më të përkushtuar të predikuar e të sendërtuar edhe me mjete totalitariste si në kohën e komunizmit dhe atdhetarizmin e komprometuar prej propagandave që fyejnë shtetin, që fyejnë mentalitetin, që deshën s’deshën autorët e kësaj propagande, ua krijojnë të huajve bindjen se shqiptarët – popull i njohur me traditë vlerash të larta, na qenkan popull pa vlera etike!
Dhe, kjo po ngjet sot në Shqipëri – po e bën paria e PD-së.
Megjithatë, Shqipëria, shikuar historikisht, ka ecur përpara, është zhvilluar e po zhvillohet, është bërë edhe me shtetin e dytë shqiptar, me Kosovën shtet i lirë e i pavarur, po zhvillohet dukshëm urbanizmi i saj, po bëhen përpjekje gjithnjë e më të dukshme për mirërritjen e brezit të ri dhe për mirëjetesën e popullit”, thekson Qosja.
“Gjendjen tonë politike e shoqërore në këtë kohë e shënojnë shumë të këqija, prandaj ndjej nevojë që t’ia bëj popullit një lutje: Hidhërohu popull!”, ka thënë Qosja.


