Protesta e 27 Janarit ishte tubimi i parë opozitar që duhej menaxhuar nga Fatmir Xhafaj. Përgjegjësia ishte e dyfishtë për ministrin duke marrë parasysh mungesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Tensioni që përfshiu Fatmir Xhafajn u ndje një ditë para protestës, kur ministria shpërnda një deklaratë me tone kërcënuese, ku binte në sy paralajmërimi se policia “do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor”.
Ashpërsimi i komunikimit mund të ishte evituar duke qenë se Lulzim Basha tha se do të dilte në bulevard bashkë me familjen dhe Monika Kryemadhi siguroi se protesta do të ishte paqësore.
Mesazhi që pasoi protestën, pasditen e 27 Janarit, tregoi se ministri është qetësuar, madje ka falenderuar protestuesit dhe organizatorët e tubimit.
“Ministria e Brendshme falënderon pjesëmarrësit për mënyrën e qetë dhe qytetarinë e dëshmuar gjatë zhvillimit të kësaj proteste. Falënderojmë qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore, sot. Po ashtu, Ministria e Brendshme vlerëson bashkëpunimin me organizatorët e këtij tubimi në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit” thuhet në njoftimin e ministrisë pas protestës.


