Kreu i PD-së Sali Berisha në një bashkëbisedim online me qytetarët ka folur ditën e sotme dhe për Reformën në Drejtësi.
Berisha ka thënë se do ta bëjnë Reformën në Drejtësi me asistimin e Komisionit të Venecias.
Një proces ligjor në gjykata, që kërkon 15 vite, siç kërkon sot në Shqipëri, është një proces ligjor i vonuar, inekzistent. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Këtë përjetojnë sot të gjithë shqiptarët. Sot janë në sistemin e drejtësisë në të gjitha shkallët 230 mijë dosje. Ato duan të paktën 20 vite dhe po vijnë duke u rritur.
Është një situatë që tejkalon çdo lloj realiteti në një vend të botës. Nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri. Reforma e Xhorxh Sorosit kaq shumë e lavdëruar nga sorosizmi, ishte shkatërrimi përfundimtar, ose mohimi përfundimtar i të drejtës së shqiptarëve për të pasur një proces ligjor. Ne kemi shpallur dhe shpallim se rikthimi i kësaj të drejte, se garantimi i procesit ligjor për shqiptarët është një nga detyrimet tona më madhore.
Ne po bëjmë përgatitje, jemi në kontakt me personalitete të shquara botërore në fushën e të drejtës. Si qeveri do vendosim bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias dhe t’u japim përgjigje më të shpejtë të mundshme të kësaj situate asgjësuese të një drejte themelore për shqiptarët, e drejta e procesit ligjor.
Me gjithë vështirësitë që paraqet, jam optimist. Janë mijëra shqiptarë që kanë studiuar në universitetet më të mira të Europës dhe botës për drejtësi, por i kanë dyert e mbyllura, nuk mund të hyjnë në sistemin e drejtësisë në Shqipërisë, sepse duhet të kalojnë shkollën e Rakipit.
Arben Rakipi është një mafioz që përdor Shkollën e Magjistraturës për bizneset e tij. Këto do marrin fund pas 11 Majit.”-tha Berisha.