Rastet e dhunës në familje nuk kanë të ndalur edhe përgjatë festave, ditë që, në fakt, qytetarët presupozohet të tregohen më të dashur e më të afërt me njëritjetrin, sidomos me familjarët e tyre.
Vetëm përgjatë katër ditëve të para të vitit të ri (2018), rastet e dhunës në familje, të regjistruara në qarkun e Durrësit, janë më shume se 10, secila me motive e specifika të ndryshme.
Ndërkohë, Policia ka marrë në konsideratë denoncimet e personave të dhunuar, duke marrë menjëherë masa për dhunuesit.
Arrestimi i parë për këtë vit, në qarkun e Durrësit, është bërë nga Policia e Krujës, ku ditën e martë ka vënë në pranga në flagrancë një 55-vjeçar të divorcuar.
Sipas Policisë, shtetasi N.S., pavarësisht se e kishte zgjidhur martesën, ka vazhduar të dhunojë ishbashkëshorten dhe vajzat, përkatësisht shtetaset D.P., 45 vjeçe, dhe të bijat 17 dhe 21 vjeçe.
“Më datë 01.01.2018, u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetaset D.P., 45 vjeçe, E.S., 21 vjeçe, dhe A.S., 17 vjeçe, pasi ish-bashkëshorti dhe babai i tyre, N.S., 55 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre”, sqaron Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Ndërkohë, në Durrës, për një 39- vjeçar ka nisur procedimi penal, pasi përveç akuzës së bashkëshortes së tij për dhunë fizike ndaj saj, atij i është gjetur në shtëpi edhe një dozë kokaine.
“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për shtetasin E.S., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtuar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes R.S., 35 vjeçe”, tha Policia, e cila ka arrestuar në flagrancë 39- vjeçarin.
Dy raste të tjera dhune flagrante në familje janë regjistruar në Durrës dhe Krujë, ku policia ka plotësuar kërkesëpadinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.
Kështu mësohet se shtetasja A. H., 33 vjeçe, banuese në Durrës ka denoncuar vjehrrën me inicialet Gj.B., 58 vjeçe dhe kunatin Y.B., 42 vjeç pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.
Burime nga Policia e Durrësit thanë për gazetën se, rastet e tjera janë trajtuar me masa ndëshkuese pak më të lehta për dhunuesit, duke i paralajmëruar dhe urdhëruar të paraqiten pranë inspektorit të zonës ku banojnë.


