Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti kombëtar midis dy vendeve.
Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.
Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e nacionales.
Por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet.
E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj, dhe e shkuara e 20 viteve të fundit të këtij vendi, Kosovës, u ka paraprirë fal njerëzve të po këtij vendi, i një të ardhmeje që në çdo rast është më e afërt sesa largësia që e shohim sot”, tha Edi Rama.
“Teksa shpaloste perpipecitë e shumta të Shqipërisë pas pavarësisë, Eqerem Bej Vlora mes të tjerash shkruante; tri herë jam gjykuar për shkak të kësaj dashurie tekanjoze me emrin Shqipëri.
Një herë prej turqve, sepse e dashuroja shumë, një herë prej rebelëve fanatikë sepse nuk e urreja dhe tani prej bashkëqytetarëve të mi sepse nuk e dashuroj as sa duhet. Tani kjo dashuri e marrë mori fund i thashë vetes.
Por, ishte e thënë të ndodhte ndryshe. Pothuajse një shekull më vonë, kur ky përjetim pat frymëzuar një prej pendëve më të vyera shqiptare, betejat e brendshme, konflikti ndërpartiak i ditës, dhe pezmi politik i seancave në Shqipëri dhe në Kosovë, ende rëndojnë këmbët tona në vrapimin drejt të ardhmes. Edhe sot sikurse atëherë, duket qartë se është e thënë të bëhet ndryshe.
Edhe nëse sot mundësitë institucionale midis shteteve tona janë objektivisht më të kufizuara se sa energjitë dhe talentet e popullit tonë, Kosova dhe Shqipëria duhet të mendojnë jo vetëm për njëra-tjetrën, por edhe nëpërmjet njëra-tjetrës, perspektivës së përbashkët.
Dekada e fundit e këtij vendi nuk është rast për të romantizuar të shkuarën, por mundësi për të rimenduar të ardhmen.
Përvjetorët e Kosovës, nuk duhen lënë të kthehen në retrospektivë vetëkënaqësie, por të kthehen në perspektivë vetëpërosje.
Me dëshirën e madhe që në 20 vjetorin e pavarësisë, unë të jem sërish këtu, por atëherë thjesht si baba i Zahos, me djalin adoleshent që do të vijë të shijojë koncertin e Rita Orës së re dhe me vendosmërinë që si kryeministër i Shqipërisë të bëj gjithçka mundem”- tha ndër të tjera Rama. (TemA)


