Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se pushimet luksoze në Zvicër i ka paguar me të ardhurat e tij personale. Ai ka deklaruar se pushimi i ka kushtuar 7 mijë euro.
Reagimi vjen nje dite pasi gazeta Insajderi shkroi dje për pushimet luksoze të kryeministrit Haradinaj në fshatin turistik më të shtrenjtë në botë. Ai ka pushuar në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës.
Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga.
Insajderi ka disa ditë që ka qenë duke pritur për përgjigje nga zyra e kryeministrit për shpenzimet në pushim. Kur iu derguan pyetjet shtese, zyra e Haradinajt, nuk ka pranuar të tregojë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet, me arsyetimin se “Kryeministri nuk ka qenë me axhende shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk ka asnjë kosto materiale”.
Haradianj thotë se qëndroi një natë në Zvicër e pagoi 7 mijë euro
Kryeministri Ramush Haradinaj fillimisht kishte deklaruar se ka qëndruar vetëm një natë në pushimet në Zvicër. Por sot ai tha se krejt pushimi i kushtoi 7 mijë euro.
Nderkohe në një intervistë për Lajmi.net, ai tregoi se pse ishte në Zvicër dhe sa qëndroi atje.
“Në Zvicër, më 25 dhjetor, datën e Krishtlindjes i kam cuar fëmijët atje, kane shkuar me ta, nje dite vajtje-ardhje”, ka thënë Haradinaj.
Pavarsisht kësaj deklarate ai nuk ka ofruar ndonjë dëshmi se pushimi i ka kushtuar 7 mijë euro.
Por Insajderi raportoi se vetëm një natë në hotelin ku pushoi kryemistri kushton 5 mijë euro.
Por bazuar në çmimet e kompanive të udhëtimit që operojnë në Kosovë çmimi i biletës kthyese në nga Prishtina në Zurich momentalisht është 365 për të rritur dhe 345 për fëmijë.
Ky çmim vazhdoj të jetë i tillë të paktën deri në gjysmën e muajit janar kur do të ketë rënie të çmimit për 100 euro.
Nga një përllogaritje e thjeshte del se vetëm biletat kthyese për gjashtë persona sa kanë qenë në pushim u kanë kushtuar më shumë se 2 mijë euro.
Ndërkohë që rezervimi në Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë holet ka kushtuar një mijë e 50 franga.


