Doktoresha e Shkencave Mjekësore dhe kërkuese në Universitetin e Kalifornisë të San Franciskos, Lisiena Hysenaj ka treguar se pse burrat janë më të prekur nga Covid-19 se sa gratë.
Teksa ishte e ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel Hysenaj tha se kjo mund të lidhet me kromozonin X, por për momentin dihet vetëm se ky është një dallim hormonal.
“Duhet të jetë një faktor hormonal që akoma s’e kemi zbuluar sepse testosteroni bën që sistemi imunitar i meshkujve të jetë i ndryshëm nga ai i femrës.
Kam shumë miq që më pyesin nëse kjo është e lidhur edhe me kromozonin X.
Dhe po, mendoj se ka të bëjë edhe me kromozonin X. Por për momentin ne dimë që ky dallim është vetëm hormonal”, tha doktoresha Lisiena Hysenaj.
Ajo u ka rekomanduar të gjithë të infektuarve me koronavirus që të ndjekin një dietë ushqimore, për ta përballuar më mirë këtë sëmundje. Doktoresha sugjeron gjithashtu se çfarë duhet të konsumojmë më së shumti.
“Ajo që duhet të bëjmë gjatë kësaj kohe është që të minimizojmë sheqernat dhe kur them sheqernat edhe frutat. Nuk duhet të hamë më shumë se 2-3 fruta në ditë dhe sa më shumë zarzavate dhe perime dhe bukë të zezë. Duhet që konsumimi i sheqernave të jetë sa më i pakët që të ulet inflamacioni në trup. Pini sa më shumë çajra.
Ne vitaminën C mund ta marrim nga çajrat e sidomos nga ai i trëndafilit të egër që ka shumë Vitaminë C. Dieta është e vetmi trajtim që kemi ne në dorë sepse ende nuk e dimë nëse ilaçet na bëjnë efekt apo jo”,- u shpreh doktoresha Hysenaj.