Gazetarja Marina Ovsyannikova e cila u fut në studion e lajmeve të një televizioni rus me një pankartë ku bënte thirrje kundër luftës, është punësuar nga një media gjermane.
“Ovsyannikova tani është një korrespondente e pavarur për Die Welt, duke raportuar nga Ukraina dhe Rusia, ndër të tjera ajo do të shkruajë për gazetën si dhe do të jetë një bashkëpunëtore e rregullt në kanalin e saj televiziv të lajmeve,”– tha pronari i Die Welt, Axel Springer.
Sipas The Moscow Time, Ulf Poschardt kryeredaktori i Die Welt gjithashtu vlerësoi guximin e Ovsyannikova në një moment vendimtar dhe tha se ajo kishte mbrojtur virtytet më të rëndësishme gazetareske, pavarësisht kërcënimit.
Më 14 mars, Ovsyannikova ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë në ‘Channel One’ në shenjë protestë kundër luftës në Ukrainë, menjëherë ajo u arrestua, u mor në pyetje dhe u lirua pasi u gjobit me 30,000 rubla (280 dollarë). Por ajo mund të përballet me ndjekje të mëtejshme, duke rrezikuar vite burg sipas ligjeve të reja ruse.
Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe ngriti alarmin mbi lirinë e shtypit në Rusi pas vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të dërguar trupa në Ukrainë. Ovsyannikova tha se po linte punën e saj, por nuk pranoi një ofertë nga presidenti Emmanuel Macron për azil në Francë, duke thënë se donte të qëndronte në Rusi.


