Aktorja e mirënjohur Tinka Kurti feston sot 85 vjetorin e lindje.
Tinka lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinës nga një baba Shqiptar me origjin nga Dukagjini i Shkodërs dhe një nënë Hungareze. Është më e madhja nga katër fëmijët. Aktualisht jeton në Tiranë. Familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.
Ajo është aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është: “Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.
VLERËSIME TË PERSONALITETEVE TË ARTIT PËR TINKA KURTIN:
Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”:
“Jam e lumtur që do të jem në festën që i organizon Teatri “Migjeni”, koleges, aktores së famshme, shtylla e këtij teatri. Tinka është aktore e tragjikes dhe humorit, që me talentin e përvojën e saj, ka dhënë para publikut, një lojë realiste, emocionale e shpërthyese. Tinka Kurti, artiste e papërsëritshme. Mirënjohje të thellë për të që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë artit në teatër dhe kinematografi. Gëzuar 85 vjetorin e lindjes, kolegia, mikja ime, Tinka. Bashkë festofshim edhe 90 vjetorin”.
Roza Anagnosti, “Nderi i Kombit”:
“E kam njohur, qëkur isha fare e re në skenën e teatrit “Migjeni”. Ka qenë e mbetet idhulli im. Mjeshtëria e saj në interpretimin e roleve, që nis në dramën “Toka Jonë”, ku Tinka interpreton Loken dhe unë Filen, ka qenë shkollë për mua. Për Tinka Kurtin, këtë aktore të përmasave të mëdha, flasin rolet, karriera e saj brilante në teatër dhe kinematografi. Është një gur i rëndë themeli jo vetëm për teatrin e Shkodrës, por për teatrin e kinematografinë shqiptare. Yje të këtyre përmasave, sikurse është Tinka Kurti, ndriçojnë përjetësisht historinë e artit të një Kombi”.
Robert Ndrenika, “Nderi i Kombit”:
“E kam vështirë në pak fjalë të jap një opinion për një aktore të madhe, sikurse është Tinka Kurti. Gjëja e parë unë i uroj nga zemra të bëhet 100 vjeç. Shpresoj të jem mirë dhe të vij në Shkodër për t’u bërë pjesë e festës. Kur bëhet fjalë për një aktor, menjëherë çon nëpërmend rolet e tij, apo të saj. E pra, gjenialiteti i Tinka Kurtit, preket, lexohet tek interpretimi, se si dhe deri në ç’masë është shkrirë shpirti saj me rolin. Tek Tinka, është një dhe i pandarë. E kam peng, që gjatë karrierës, nuk kam mundur të jem partner i saj, por gjatë gjithë kohës kam qenë dhe jam admirues i roleve, që ka interpretuar aktorja e madhe Tinka Kurti”.





