Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 solli sot ekskluzivisht pamje të reja të rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës.
Janë pamje të patransmetuara më parë të cilat tregojnë të plotë të gjithë dinamikën e ngjarjes si edhe lëvizjen e personave me të cilët Enver Stafuka konsumoi kafen e fundit, por edhe të rrëmbyesve të veshur si policë.
Enver Stafuka u rrëmbye mbrëmjen e 8 shkurtit 2015. Edhe pse data që mban kamera e sigurisë mban datën 9 shkurt. Siç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka. Dhe ora shënon 19:23 minuta.
Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, personi që shikoni në pamje që zbret nga makina në anën tjetër të rrugës. Siç vihet re në vazhdim, të katër personat, futen në lokal. 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.


