Një nënë shqiptare e tre fëmijëve, njëri prej të cilëve është i porsalindur, është bërë gruaja e parë që deportohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë për të vuajtur një dënim me burg.
Vendimi ka shkaktuar debate të forta në opinionin publik britanik, në një periudhë ku tensionet dhe protestat kundër emigracionit janë shtuar ndjeshëm.
Autoritetet britanike duket se kanë zgjedhur të japin një “shembull” përmes këtij rasti, duke urdhëruar deportimin e nënës shqiptare, e cila tashmë do të duhet të ndahet nga fëmijët e saj për të vuajtur një dënim 4-mujor në burgun e Pojskës, në Pogradec.
Sipas “The Telegraph”, gruaja ishte dënuar pasi kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur një pasaportë rumune të falsifikuar.
Pavarësisht kërkesës së saj për të mos u deportuar, gjykata dhe prokuroria britanike kanë refuzuar çdo rrethanë lehtësuese.
Në dëshminë e saj, gruaja tregoi se kishte përfunduar studimet për inxhinieri kompjuterike në Shqipëri në vitin 2019, përpara se të transferohej në Britani për t’u bashkuar me partnerin e saj, me të cilin ka tre fëmijë.
“Nuk kam pasur një martesë zyrtare me burrin tim, por e konsiderojmë veten të martuar sepse kemi jetuar së bashku që nga viti 2019 dhe kemi fëmijë së bashku”, është shprehur ajo përpara gjykatës.
Ajo ka theksuar se jeta e saj tashmë është ndërtuar në Britani dhe se ndarja nga familja është një goditje e rëndë për të: “Kam një familje të madhe në Shqipëri dhe shkoj mirë me ta, por jeta ime është në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk mund ta duroja idenë e ndarjes prej fëmijëve të mi.”
Ajo tha gjithashtu se familja e saj në Shqipëri është e turpëruar nga rasti, duke shtuar se ajo nuk ka qenë kurrë më parë e dënuar, as në vendlindje dhe as në Britani.
“Familja ime është shumë e turpëruar për këtë rast pasi unë nuk jam nga lloji i familjes që futet në telashe. Përpara kësaj vepre penale nuk kam pasur dënime në Shqipëri apo në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh 25-vjeçarja.


