Pas “turbullirës” së madhe që krijuan zgjedhjet e 30 Qershorit, në skenën qëndrore të politikës shqiptare, po ndodh ajo që edhe ishte paralajmëruar prej kohësh. Ka nisur kthjellimi i pamjes, për atë që na pret, pas kësaj.
Opozita e re parlamentare po riorganizohet dhe po mer rolin, po luan funksionin dhe po ngjitet dalëngadalë në lartësinë e sfidave të saj reale, brenda sistemit politik të vendit.
Opozita e rrugës ka zbritur më në fund me këmbët në tokë dhe po kupton se as flaka e mandateve, as zjarri i molotovëve, as tymi i shashkave, as rrufetë mediatike dhe as bubullimat e kërcënimeve verbale të Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës e Monika Kryemadhit, nuk ta japin dot pushtetin në tavolinë.
Kur nuk e bën dot Presidentin në zyrën Nr. 1 të shtetit, por tenton që të bësh nëpërmjet saj liderin e opozitës, do të ikësh prej aty që ti hapësh rrugën ligjshmërisë dhe kushtetuteshmërisë së funksionimit të institucioneve.
Pallati i ri i Drejtësisë ka dalë nga faza e themeleve, duke nisur lartësimin e përditshëm mbi sipërfaqe, nëpërmjet ngritjes me shpejtësi të institucioneve të reja. SPAK dhe BKH, e paralel me to Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë në rrugën e ngritjes dhe kostituimit.
PS bashkë me përmbylljen e procesit të zyrtarizmit dhe marjes së detyrës nga të zgjedhurit e rinj vendorë, ka nisur që ta lexojë me lupë në dorë mesazhin real që i dhanë qytetarët shqiptarë me votën e tyre më 30 Qershor.
Siç shihet, bashkë me qytetarët që kanë nisur pushimet verore apo prenotimin e tyre, e gjithë elita politiko- shoqërore e vendit, është tashmë pjesë e procesit të materializuar në thënien e njohur të Konfucit: “Turbullohu- kthjellohu!”
Turbullira që tentoi opozita e rrugës, mori fund bashkë me zgjedhjet e 30 Qershorit. Pasi prekën fundin që ia treguan partnerët tanë ndërkombëtarë, tani kanë nisur të futen në një fazë të re, atë të kthjellimit!
Deri tani, e sigurtë është se gjithkush ka kuptuar se, asgjë nuk do të jetë më si më parë në Shqipëri. Ndaj, gjithkush ose do të vrapojë që të kapi “trenin” e fundit të së ardhmes, ose do të mbesi njëherë e përgjithmonë në stacionin e së shkuarës.
/Marrë nga Alfred Pez@ blogu personal