Në mungesë të një alternative të qartë, duket se Lulzim Basha është rikthyer pas në kohë në vitin 2005 për të gjetur frymëzim për të rrëzuar shumicën qeverisëse.
Pasi dështoi me sloganin e “Republikës së Re” në zgjedhjet e 2017, Basha thotë se tani është “Koha për ndryshim”, një slogan i përdorur nga Sali Berisha 14 vite më parë.
Në zgjedhjet e vitit 2005 Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha përdori sloganin “Koha për ndryshim” për të ardhur në pushtet përballë PS-së me sloganin “Mbro të ardhmen”.
Lideri demokrat Lulzim Basha gjatë takimit me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte pas akuzave për qeverinë është shprehur se nuk mund të lejojmë që vendi të izolohet, prandaj është koha për ndryshim.
“Gjatë takimit me Kryeministrin e Italisë, Z. Giuseppe Conte, e falenderova për kontributin që vendi i tij ka dhënë vecanërisht në luftën ndaj krimit, lëndëve narkotike dhe sigurisë për vendin tonë.
Nuk mund të lejojmë më që të na sundojë krimi dhe paligjshmëria. Nuk mund të lejojmë më që për shkak të një njeriu, të izolohet një vend i tërë! Koha për ndryshim!” shkruan Basha.
Dje kryeministri i Italisë Conte u shpreh se qeveria duhet të përgatisë një platformë për daljen nga kriza, ndërsa opozita duhet të ulet në dialog pa kushte.