Ankohet prej disa muajt për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, duke e përdorur në të njëjtën kohë edhe si argument kryesor për të sulmuar reformën në drejtësi, por tashmë Presidenti Ilir Meta është kthyer vetë në faktor që po vonon plotësimin e Kushtetueses. Prej shtatë ditësh, në tryezën e kreu të shtetit qëndrojnë dy lista me nga tre kandidatë për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, funksionimi i të cilës tashmë është kusht për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Emrat janë dërguar në Presidencë nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, pas procedurave të gjata përzgjedhëse. Për vakancën e parë, presidenti Meta duhet të zgjedhë brenda 30 ditëve mes Arta Vorpsit, Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toskës. Për vakancën e dytë, kreu i shtetit duhet të zgjedhë gjithashtu mes Arta Vorpsit, Elsa Toskës e Besnik Muçit. Ndonëse lista është shoqëruar nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat, kreu i shtetit ende nuk është shprehur me dekret për plotësimin dy vendeve vakante në Kushtetuese. Mbetet për t’u parë nëse kreu i shtetit do të konsumojë afatin 30 ditor, brenda të cilit duhet të emërojë dy kandidatë për dy vende në Kushtetuese apo do të shprehet me dekret brenda këtij afati.
Bllokimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese nuk funksionon sepse shumica e gjyqtarëve të saj, të gjithë të emëruar nga PD (me mbështetjen e LSI) midis viteve 2007-2013, janë shkarkuar nga Komisioni i Vetingut sepse nuk justifikonin dot pasuritë e tyre, ose pasi kanë dhënë dorëheqjen pikërisht për të shmangur Vetingun. ‘Kosës’ së trefishtë të Vetingut i ‘mbijetoi’ vetëm anëtarja Vitore Tusha, të cilës gjithsesi i ka mbaruar mandatin, ndërsa anëtarët e tjerë u shkarkuan për pasuri të paligjshme ose u vetëlarguan, duke evituar Vetingun. Kryetari Bashkim Dedja si dhe anëtarët Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari dhe Fatos Lulo u shkarkuan nga Vetingu për pasuri të paligjshme, ndërsa Bensik Imeraj, Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi dhanë dorëheqjen.
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.