Pas debateve të shumta që u zhvilluan në Komisionin e Ligjeve është miratuar projektligji për bashkëqeverisjen.
Projektligji është miratuar me 12 vota pro dhe 6 vota kundër në Komision.
Ligji për Agjensinë e Bashkëqeverisjes është shoqëruar me debate të forta në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që kritikat nuk kanë munguar as nga vetë përfaqësuesit e mazhorancës si ish ministri Fatmir Xhafaj.
Çfarë është projektligji për Agjensinë e Bashkëqeverisjes?
“Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje” do të kontrollojë gjithë administratën në bashkëpunim edhe me qytetarët.
Agjencia në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, do të hetojë kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore.
“Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë” thuhet në projektligj.


