Ka përfunduar pas 3 orë e 40 minutash marrja në pyetje e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka në Prokurorinë e Tiranës. Deputeti u thirr nga organi akuzës për tu marrë në pyetje në lidhje me rolin e tij në protestën e dhunshme të 8 janarit. Në një prononcim për media nga ambientet e jashtme të prokurorisë, ai zbuloi detaje nga ajo çfarë i kishte raportuar organit të akuzës në lidhje me sulmin mbi Partinë Demokratike.
Noka u shpreh se i bëri thirrje organit të akuzës të hetojë ish-deputetin, Spartak Braho, për përhapjen e panikut, në lidhje me deklaratat e tij për vrasjen e një deputeti, si dhe bëri apel për hetimin e Drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale, Sokol Bizhga, të cilin e cilësoi si kryepolici që ushtroi terror mbi demokratët.
“Sot me urdhër të pengmarrësit isha i thirrur në prokurori për një protestë demokratike dhe më paqësorja e mbajtur ndonjëherë. Unë sot i bëra thirrje prokurorisë të hetojë për një mashtrim publik që pengu i ka bërë ndërkombëtarëve më 18 Dhjetor duke mashtruar për gjasme 5004 delegatë. Pasi në emrat që pengu ka lexuar ka dhe të vdekur, ka dhe emra që nuk ekzistojnë.
Sot i bëra thirrje prokurorisë që të hetojë dhe dhunën mbi demokratët në shtëpinë e tyre.
I bëra thirrje që të hetojnë një zjarrvënës si dhe Spartak Braho i cili përhap panik duke inskenaur lajme dhe trille, ashtu sikurse i bëra thirrje të hetojnë dhe Sokol Bizhgën një kryebandit me uniformë që ushtroi terror mbi demokratët”, tha Noka.


