Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, ka deklaruar se Shqipëria është ende shumë larg krijimit të imunitetit të tufës.
E ftuar në ABC ajo është shprehur se imuniteti i tufës arrihet pasi infektohet 70-80% e popullsisë, dhe siç thonë ekspertët kjo është akoma larg.
“Nuk duhet të merremi me rritjen e numrit të vdekjeve, por duhet të merremi shkakun që ndikon, jemi larg imunitetit të tufës, pasi me atë që thonë ekspertët akoma jemi larg plotësimit të imunitetit të tufës. Imuniteti i tufës duket dhe nga shifrat ai arrihet kur të infektohet 70-80% e popullsisë. Instituti i Shëndetit Publik në matjet e tyre bëjnë raportet e tyre në lidhje me personat që e kanë kaluar ose jo koronavirusin pasi të mos harrojmë se ka dhe qytetarë që e kalojnë në mënyrë asiptomatike sëmundjen. Në lidhje me analizën nëse do të kemi apo jo masa të tjera mund të ndryshojë çdo ditë. Ne po kërkojmë fuqimisht zbatimin e masave kufizuese”, është shprehur Rakacolli.


