Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të shembë mesditën e sotme një pallat 6-katësh në qytetin e Fierit. Shpërthimi do të jetë i kontrolluar, ndërsa do të kryhet me lëndë plasëse.
IKMT vijon prej 29 janarit aksionin në Fieri për zbatimin e projektit të qendrës së qytetit dhe rehabilitimit të lumit Gjanica. Në fazën e parë të aksionit, që njihet si projekti i qendrës së Fierit, janë shembur 24 objekte, ndërkohë që dje ka filluar faza e dytë.
Në këtë fazë pritet të prishen 14 objekte të tjera anës lumit Gjanica. IKMT ka shembur një objekt tre katesh, tre lokale dhe pritet shembja e një objekti banese, por që pronari i shtëpisë ka kundërshtuar deri më tani.
“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, do të realizojë sot në orën 12.00, prishjen e objektit të katërt me shpërthim të kontrolluar në qytetin e Fierit. Objekti është i lartë gjashtë kate dhe specialistët e IKMT kanë hapur në trupin e tij 400 furnella (vrima) ku do të vendosen 8 kilogramë lëndë shpërthyese. Për mbrojtjen e objekteve që ndodhen pranë nga shpërthimi, janë vendosur 3 mijë thasë me rërë. IKMT u bën thirrje edhe njëherë pronarëve të objekteve pranë objektit që do të prishet, të mbajnë hapur dyert dhe dritaret për të shmangur dëmtimet nga vala shpërthyese. Objekti që do të prishet është në vijim të aksionit të IKMT në Fier, në kuadër të rehabilitimit të lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit”, thuhet në njoftimin zyratr.