Sali Berisha e pranoi drejtpërdrejtë se ka lobuar që DASH ta përjashtonte nga ndalimi për të hyrë në SHBA. I pyetur nga gazetarët se kush ka paguar për këtë lobim, ai tha se pagesa është kryer nga një fondacion që ndihmon PD, por ai zgjodhi të mos e zbulojë shumën.
“E para, nuk kam zhvilluar në mënyrë kategorike asnjëlloj negociate me asnjë person. Ka një kod: po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. Nuk jam ai që bën një veprim dhe bën një tjetër. Seancën e pajtimit unë nuk kisha ndërmend ta pranoja. Unë do shkoja. Shkova në gjykatë. Çdo aludim këtu është kot. A kanë lobuar për Sali Berishën? Po, kanë lobuar, pa diskutim. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden, nuk kam lobuar me administratën e Biden. Nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit
Pra nuk ka pasur asnjë… Unë, që ta dinë të gjithë, i vetmi sanksion që kam pasur ka qenë viza. Janë përpjekur shumë, me një vullnet patologjik, të kalojnë tek thesari, se besonin gënjeshtrat e tyre. Bëri një hetim të thelluar dhe të gjithanshëm të fëmijëve të mi, timin, dhe gjeti atë që kanë gjetur edhe këta te vettingu që kanë bërë, dhe nuk ua mori, ua ktheu mbrapsht. Ai lobim, se kush e ka paguar, është fondacioni i cili ndihmon PD dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD-së. Unë thashë, u ktheva kur donin të kontrollonin PD-në dhe unë mund të them që jam kryetari i PD-së, por s’kisha ndërmend të kthehesha. Do vazhdoja betejën me media dhe gjykatë. Kjo ishte zgjidhja ime”, tha Berisha.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sali Berisha dhe familjarët e tij vijojnë të figurojnë si persona të shpallur “non grata”.
Pavarësisht se Berisha nuk zbuloi emrin e fondacionit që ka lobuar për të në DASH, më herët në media është bërë publike një kontratë prej 6 milionë USD, e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, me kompaninë lobuese amerikane “Continental Strategy”.
Në këtë kontratë, si garantor financiar figuron Nuredin Elez Seci, një 72-vjeçar tropojan, ish-shef i sportit në Komitetin Ekzekutiv të Tropojës deri në vitin 1992, aktualisht rezident në Neë York. Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë për të arkëtuar dhe paguar lobimin milioner, që parashikon pagesa mujore prej 250 mijë dollarësh për një periudhë 24-mujore.
Madje, më 24 prill 2025, ditën kur është nënshkruar kontrata nga Flamur Noka, është derdhur edhe paradhënia prej 750 mijë USD për tre muajt e parë.


