Ka marrë fund arratia për Erjon Ramën, nipin e Fatmir Ramës i cili së bashku me vëllain e tij u shpallën në kërkim disa ditë më parë në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga SPAK për goditjen e grupit të Luçiano dhe Artur Koçekut.
Burime për mediat bëjnë me dije se Rama është vetëdorëzuar këtë të enjte në Poolicinë e Shtetit, lidhur me hetimet që po zhvillohen sa i përket grupit kriminal të drejtuar nga vellëzërit Koçeku, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash në Shqipëri dhe jashtë saj.
Erjon dhe Adrian Rama, nipat e Fatmir Ramës (i njohur si “Miri i Xhikës”), janë mes personave të akuzuar nga SPAK për përfshirje në aktivitet kriminal, konkretisht në skema të dyshuara të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe investimeve të parave të ardhura nga trafiku i drogës.
Sipas dosjes hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim përmes disa shoqërive tregtare, duke kryer faturime fiktive dhe investime në pasuri të paluajtshme si dhe duke kanalizuar të ardhurat në prona, kompani dhe asete të ndryshme për të fshehur origjinën e tyre.
Në materialet e Prokurorisë të bëra me dije më herët përmendeshin gjithashtu veprime të dyshuara në zonën e Vlorës, ku sipas hetimeve janë përdorur kontrata me banorë lokalë dhe procedura për sigurimin e trojeve dhe lejeve të ndërtimit, si pjesë e skemës së dyshuar financiare.
Më herët, në kuadër të të njëjtit operacion, SPAK vendosi masa sigurie “arrest me burg” për disa persona të tjerë të përfshirë në dosje, ndërsa u sekuestruan një numër i konsiderueshëm pasurish, përfshirë vila, apartamente, kompani dhe llogari bankare.
Hetimet vijojnë dhe pritet që Prokuroria e Posaçme të hedhë më shumë dritë mbi rolin e secilit prej të dyshuarve në këtë rrjet të dyshuar kriminal.
Në kuadër të hetimeve janë vendosur nën sekuestro:
9 llogari bankare në emër të Erjon Ramës
21 llogari bankare në emër të Adrian alias Ardian Ramës
Një pasuri në zonën e Sallmones në Shijak, si dhe rreth 58 milionë lekë të përfituara nga shitja e saj, të gjendura në llogaritë e Adrian Ramës
3 llogari bankare të kompanisë “Kryeon.83” në pronësi të Adrian Ramës
2 vila në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”
Një truall në Sarandë;
3 vila dhe dy apartamente në Jalë
Kompania “Kryeon.83”, me aktivitet në Tiranë dhe Prishtinë.
Erjon dhe Adrian Rama janë nipat e Fatmirë Ramës, i njohur si “Miri i Xhikës”, një nga figurat më të njohura dhe të diksutuara në botën e biznesit dhe krimit në Shqipëri gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000.
Fatmir Rama u ekzekutua në vitin 2003 në ambientet e biznesit të tij “Karodroom 2000”, në një atentat që tronditi asokohe vendit dhe mbeti një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të asaj periudhe.
Sipas asaj që raportohej asokohe, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar iu afruan lokalit ku ndodhej Rama dhe hapën zjarr në drejtim të tavolinës ku ai ishte ulur së bashku me persona të tjerë.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, humbën jetën në vend Fatmir Rama dhe Julian Durishti, ndërsa pak çaste më vonë ndërroi jetë edhe Kristaq Cami. Flamur Rrapaj mbeti i plagosur rëndë dhe humbi ndjenjat. Për këtë ngjarje, personi i vetëm i arrestuar ishte Lavdrim Tufa.
Në vitet e fundit të jetës së tij, Fatmir Rama konsiderohej një nga njerëzit më të fuqishëm dhe më të pasur në Shqipëri. Emri i tij lidhej me aktivitete të shumta biznesi, ndërsa “Kartodromi” ishte kthyer në një nga vendet më të frekuentuara të kohës.


