Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngërçin me pagat e magjistratëve sot në 13 shtator.
Rama shprehet se një gjykatës në Shqipëri, që sapo e ka nisur punën, merr 500 euro më tepër se kolegu i tij në Greqi. Shton se dëshirojnë tashmë 2 mijë euro më tepër rrogë se një koleg i tyre në Greqi.
Më tej, kreu i qeverisë deklaron se me vendimin e marrë nga KLP dhe KLGJ, paga duhet të rritet 3000 euro më shumë se një koleg në Malin e Zi.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan kryeministri Rama në X.
Prej disa kohësh po zhvillohet një debat i ethshëm mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve, për pagat e magjistratëve.
Pas ditësh debati juridik mbi pagat, mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Magjistratët shkuan edhe në derën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Kjo e fundit shqyrtoi të premten dy kërkesa, të bëra nga Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit, për sigurim padie, duke pezulluar zbatimin e urdhrit të ministrisë së Financave që çoi më pas në moskalimin e pagave të tyre për muajin gusht.
Përmes këtyre vendimeve, Gjykata Administrative urdhëron ekzekutimin e listëpagesave të dërguara nga këto gjykata deri në shqyrtimin në themel të kërkesave për shfuqizim të këtij urdhri.
Në kërkesat e dorëzuara, Magjistratët argumentojnë se kontrolli financiar i ligjshmërisë së shpenzimit është një funksion i ligjshëm dhe i domosdoshëm, por nuk mund të shndërrohet në mekanizëm për të pezulluar një akt në fuqi.
Prej datës 3 shtator, pagat e Magjistratëve u bllokuan në thesarin e shtetit, pasi Ministria nuk pranoi formulën e re të pagave të tyre, të përcaktuar nga KLGJ dhe KLP, me argumentin se qeveria nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës Kushetuese brenda 31 korrikut.
Qeveria i konsideron vendimmarrjet e Këshillave si marrje të kompetencave të pushteit legjislativ dhe ekzekutiv, duke thënë se kjo çështje do të zgjidhet vetëm në Parlament. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka publikuar shifra, duke thënë se gjyqtarët kërkojnë paga, që janë shumë larg realitetit shqiptar.


