Asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime. Në instrumentin e pestë të masave kundër dhunës, kryeministri Edi Rama paralajmëroi mësuesit se do të pezullohen nga detyra nëse nxisin nxënësit për pjesëmarrje në protestë.
“Së pesti, kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet kodit etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo atyre në kundërshtim me interesin e tyre dhe me pritshmërinë e prindërve. Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra ku shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror profesional për të nxitur organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës. Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve”, tha Rama.
Instrumenti i gjashtë dhe i fundit që prezantoi Rama, ka të bëjë me ndryshime tnë kodin penal sipas praktikave më të mira të Francës dhe Italisë, mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Sipas tij nga ndëshkimi përjashtohen protesta paqësore, kritika politike, satira dhe gazetaria.
“Së gjashti, ndryshimet në kodin penal. Ndryshimet në kodin penal ndjekin praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian, posaçërisht të Francës dhe Italisë, si dhe mbështetjen në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, ndëshkojnë nxitjen e saj, ndëshkojnë kanosjen dhe përndjekjen qoftë fizikisht në mjedise publike, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale. Ato e përjashtojnë shprehimisht nga ndëshkimi protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë. Dhuna gjatë tubimeve, qëndrimi mes dhunës pas paralajmërimeve ndëshkohet penalisht vetëm kush vazhdon të qëndrojë në tubim pas paralajmërimit të policisë duke ditur që po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona. Ndëshkohet dhe organizimi i tubimit të ndaluar me vendim të ligjshëm. Kush kapet me armë ose sende të tjera të rrezikshme dënohet deri në dy vjet burg”.


