Pas 14 vitesh mungesë, Festivali i Filmit Shqiptar mbylli në Tiranë edicionin e tij të rikthimit, duke sjellë në kryeqytet për dhjetë ditë radhazi emrat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare dhe një numër të madh produksionesh filmike.
Mbrëmja gala shënoi kulmin e këtij edicioni, me ndarjen e çmimeve për regjisorët, aktorët dhe krijuesit më të spikatur. Në ceremoni morën pjesë artistë, kineastë, regjisorë, aktorë, skenaristë dhe personalitete të jetës kulturore.
Kupa e Festivalit shkon për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja”
-Çmimi kryesor i festivalit, Kupa e Festivalit të Filmit, iu dha filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja”, i realizuara nga Gentjan Koçi.
Filmi u shpall fituesi i edicionit, duke marrë vlerësimin kryesor të jurisë në një garë ku morën pjesë dhjetëra produksione shqiptare dhe bashkëprodhime.
Edhe çmimet e aktrimit sollën emra të njohur të skenës dhe ekranit.
-Çmimi për Aktoren më të Mirë iu dha Adriana Matoshit, për interpretimin e saj në filmin “Luna Park”.
-Ndërsa Çmimi për Aktorin më të Mirë shkoi për Blerim Destanin, për rolin e tij në filmin “Amsterdam Express”.
Dy prej çmimeve të rëndësishme të mbrëmjes shkuan kështu përtej kufijve të Shqipërisë, duke dëshmuar dimensionin mbarëkombëtar dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të madh të kinematografisë shqiptare.
-Çmimi për producentët më të mirë iu dha Dritan Huqit dhe Vllojca Dedej, duke vlerësuar kontributin e tyre në realizimin dhe promovimin e produksioneve kinematografike.
-Ndërsa çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për Gjergj Xhuvanin, një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare.
-Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ishte Çmimi i Karrierës, i cili iu dha ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Tinka Kurtit, në nderim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm ndër vite.
Gjatë dhjetë ditëve të festivalit, interesi i publikut ishte i lartë. Sipas organizatorëve, rreth 20 mijë shikues ndoqën filmat dhe aktivitetet e festivalit në hapësirat e ndryshme të Tiranës.
Ky numër konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha të këtij edicioni, sidomos duke pasur parasysh se festivali u rikthye pas një mungese prej 14 vitesh.
Nga data 3 deri më 12 shtator, Tirana u kthye në qendrën e kinematografisë shqiptare, me rreth 220 filma të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot, të cilët u shfaqën në katër hapësira: Universitetin e Arteve, Kinemanë “Agimi”, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”.
Rikthimi i festivalit në Tiranë synon të rikthejë një traditë të rëndësishme të kinematografisë shqiptare dhe të krijojë një hapësirë të përhershme për promovimin e filmit, autorëve dhe aktorëve shqiptarë.
Në këtë edicion, krijuesit u vlerësuan përmes tre sistemeve: Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut. Çdo regjisor konkurroi me një film të vetëm, ndërsa Akademia dhe publiku patën mundësinë të vlerësonin të gjitha veprat e paraqitura.


