Kryeministri Edi Rama duke folur për gazetaren Eni Vasili lidhur me mënyrën e sigurimit të 975 vaksinave të para anticovid-19 në vendin tonë, tha se nuk mund ta thotë vendin e origjinës, por është vend i BE-së dhe kur kanë ardhur këtu janë shoqëruar me njesi speciale të vendit transportues dhe më pas janë marrë nga Shqipëria me njesinë tonë speciale.
Rama me ironi duke iu referuar dhe epiteteve që i janë vënë pas sigurimit të vaksinës, tha se i ka siguruar ato si lypësi më i dalluar nga të tjerët.
Vasili: Mënyra si kanë ardhur, vendi i origjinës, certifikimi, si janë mbajtur, ku janë mbajtur, ka munguar transparenca. Që kanë mbërritur dorazi 975.
Rama: Nuk e di çfarë dmth dorazi, se nuk di të ketë një dorë aq të gjatë që të shtrihet nga matanë kufirit dhe të sjellë vaksinat tek ne. Vaksinat kanë ardhur këtu me mjetin e transportit, me të gjitha kushtet. S’mund t’ua them nga kanë ardhur. Derisa kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë të shoqëruara nga njesi speciale dhe janë marrë nga ne autoritet dhe njësitë speciale tonat. Kanë ardhur nga një vend i BE-së dhe emrin nuk mund ta them sepse na është kërkuar konfedencialiteti i plotë nga ai vend për arsye të vetat që kanë të bëjnë me faktin që vendet e BE janë të rrethuar nga shtete që kërkojnë vaksina. Dhe natyrisht kjo ka qenë një dhuratë për ne të cilën e kam kërkuar si lypësi më i dalluar nga të gjithë ata që e kanë kërkuar për vendet e tyre. Në një kohë të dytë me siguri do mund të thuhet dhe unë do bëj falenderimet publike.
Këto vaksina që erdhën janë si rezultat zinxhir i vaksinave që do të vahzdojnë të vijnë në mënyrë jo transparente. Pyetja është këtu: Duhet t’i merrnim ne dhe të vazhdonim vaksinimin, apo t’i thoshim vendit mbaji se mediat duan transparencë. Çdo flakon i vaksinës Pfizer ka një kod, janë si ari sot. Çdo flakon që del ka një rrugë dhe është e pamundur ta marrësh dhe ta devijosh. Vaksina nga ai vend në Shqipëri ka ardhur me kushtet siç janë vaksinat të kushtëzuara në të gjithë hartën e botës, është e autorizuar nga një shtet dhe nën kujdesin e autoriteteve shëndetësore dhe policore. Nëse fjala ime nuk mjafton ju kuptoj. Unë e bëra vetë vaksinën për të krijuar besim, jo për t’i zënë radhën askujt.


