Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka sulmuar ashpër ditën e sotme ministren e drejtësisë, duke iu drejtuar me një fjalor seksist, jo etik dhe shumë larg shembullit të një zonje në politikë.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi e ka quajtur ministren “halabake”, term i cili ka shkaktuar edhe irritim të madh në rrjet dhe opinion publik.
“Një ministreshë që ka vjedhur protokollin dhe e ka falsifikuar atë, ashtu ka arritur të vjedhë dhe pronat e shqiptarëve. Një halabake rrugësh që merr guximin për të falsifikuar protokollin e shtetit, mos u çudisni që kjo dhe bandat e saj kanë vjedhur pronat e shqiptarëve. Ajo u heq shenjat e gishtërinjve trafikantëve të drogës dhe vendos ato të shqiptarëve të thjeshtë. Kjo halabake kur arrin të falsifikojë të drejtën kushtuese të presidentit mund të presësh shumë dhe se çfarë mund të bëjë ajo me jetën tona dhe fatin e shqiptarëve.”
Monika Kryemadhi ka sulmuar këtu edhe anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi duke e quajtur “ngelëse”.
“Strukturat e drejtësisë le të vendosë për të. Për mua moralisht Arta Vorpsi është një ngelëse. Unë do të jem në Bulevard më 2 mars si një qytetare.”
Ndërkohë, Kryemadhi ka vijuar edhe më tej teksa ka folur edhe për ministren e shëndetësisë me etiketimin “luleshtrydhe”.
“Sipas batutave të asaj që Edi Rama i thërret luleshtrydhe. Për Ministren e Shëndetësisht e kam fjalën që kanë ikur 6000 mijë mjekë. Normal që do ikin, sa është rroga e një mjeku sot? 420 mijë lekë, I bie 300 euro.”
Ky ligjërim, të kujton atë të Sali Berishës kundër Ina Ramës, kryeprokurores në periudhën e ngjarjeve të 21 janarit teksa i drejtohej me fjalët “lavire bulevardi”.
“Mund të thoni për Ina Ramës. Ina Rama ishte puçiste dhe i është thënë lavire politike dhe s’ia heq kurrë dhe ishte minimumi i asaj që mund ti thosha. Shpresonte të merrte dy mandate duke bashkëpunuar me kryetrarin tuaj. Unë këtu nga kjo platformë cilitdo qytetar që t’ia thotë, cilido zyrtar tjetër do ja plas në surrat. Më e keqja është që të gjithë të bëhen banorë të fermës së derrave”, deklaronte Berisha në Kuvend.
Pak ditë më parë, Presidenti Meta sulmoi ashpër nepermjet zëdhënësit të tij edhe ministren e Parlamentit Elisa Spiropali duke e quajtur të çmendur.
“E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste.
Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Blushi.
E pika që i takon sot Metën e Kryemadhin me Berishën është pikërisht Bulevardi. Kur u bënë sulme të ketij lloji ndaj një zonje nga ish kryeministri Berisha, ishin vrarë në Bulevard nga Garda 4 qytetarë të pafajshëm që ende sot nuk e kanë marrë drejtësinë.
Ndërkohë që sot, 9 vite më vonë Presidenti Meta dhe Monika Kryemadhi sulmojnë me të njëjtën gjuhë pak përpara protestës së thirrur nga Presidenti me 2 mars, po në të njëjtin Bulevard.
Rastësi? Apo çiftit presidencial i pëlqen të ecë gjithnjë në gjurmët e ish kryeministrit Sali Berisha?
ALPEnews.al