Forcimi i kapaciteteve të Forcave të Armatosura dhe modernizimi i pajisjeve ushtarake janë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri Ermal Nufi, në intervistën për emisionin “Hard Talk” në platformën Media Radar theksoi rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe të bashkëpunimit me aleatët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për marrëveshjen me SHBA-në për blerjen e pajisjeve ushtarake, ministri Nufi vlerësoi se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se siguria kombëtare duhet të jetë një çështje që bashkon të gjitha forcat politike, përtej ndarjeve partiake.
“Siguria kombëtare duhet të jetë bipartizane. Armiku nuk të pyet cilës parti i përket”, deklaroi ministri Nufi.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“SHBA-të janë aleati kryesor brenda aleancës së NATO-s dhe fuqia më e madhe ushtarake në botë. Në tryezën e ministrave të mbrojtjes të NATO-s ku ulem unë, nuk ka qëndrime të ndryshme sa i përket sigurisë dhe kjo u provua edhe së fundmi në Ankara”, u shpreh ministri.


