Gjykata e Krimeve te Renda ka nisur gjykimin ne mungese ndaj Domart Konjarit, njohur si miku i Franc Konomit.
Ai eshte ne akuze per nje sere veprash penale ne Francë, mes të cilave “trafik i narkotikëve”, “organizate kriminale” dhe “pastrim parash”.
Ai do te gjykohet ne mungese, pasi Gjykata e Lartë i “vuri vulën” vendimit të Apelit për Krimet e Rënda që la të lirë Domart Konjarin, i dyshuar nga drejtësia e Francës për kryerjen e një sërë veprash penale.
Vendimi
Rekursi i bërë nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër vendimit që caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për Konjarin nuk është pranuar.
Kolegji Penal me relator gjyqtarin Guxim Zenelaj nuk e kanë kaluar për shqyrtim këtë çështje, duke e mbyllur që në dhomën e këshillimit. Sipas këtij vendimi, hetimi i nisur ndaj Domart Konjarit do të vijojë në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
LIRIMI I KONJARIT
Për shkak se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë.
Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, në shkurt 2016, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pas vendimit në fjalë, Domart Konjari fitoi lirinë, kurse Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit.
Lirimi i personit në fjalë shkaktoi edhe reagimin e Ambasadës Franceze, e cila me anë të një letre të publikuar nga “Panorama” pas vendimit të gjykatës, theksonte se kishte vite që Konjari hetohej nga policia franceze, e cila kishte investuar fonde e njerëz për zbardhjen e aktivitetit të shqiptarit.
Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare i vazhdoi hetimet edhe pas lirimit të Konjarit, dhe në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish, në dhjetor 2016, caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kërkesa u pranua nga ana e Gjykatës (e njëjta që kishte liruar Konjarin), por i akuzuari nuk është gjetur ende nga policia, pavarësisht se, me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.
SI U ARRESTUA
Domart Konjari ishte person në kërkim në kohën kur më datë 04.11.2015, rreth orës 17:40, në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, janë paraqitur në hyrje shtetasit Elton Çela, si drejtues mjeti dhe shtetasi me dokumente me identiteti Arben Lazri, si pasagjer.
Pasi punonjësi i policisë (kontrollori) ka vijuar procedurën e regjistrimit të shtetasve në pikën e kalimit, ka evidentuar se me të njëjtin identitet, Arben Lazri, me numër personal të njëjtë, por me fotografi tjetër, është i regjistruar në TIMS dhe një shtetas tjetër.
Po ashtu, punonjësi i policisë ka evidentuar se po i njëjti i asaj dite, shtetasi Arben Lazri, kishte dalje për në Greqi në orën 17:11. I intervistuar për këtë fakt, shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri i ka prezantuar faktin se pasi ka dalë në pikën e kalimit në territorin grek, nga punonjësit e kësaj pike është kthyer pas, sepse i kërkonin disa dokumente të tjera.
Në këto rrethana, shtetasi i paraqitur me këtë identitet ka kaluar për një kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe ndërkohë që shoqërohej nga punonjësi i policisë për në zyrën përkatëse, shtetasi i paraqitur si Arben Lazri, i ka premtuar punonjësit të policisë për t’i dhënë 50 euro, me qëllim që të mos e vonin me procedurat e verifikimit, veprim të cilin e ka kundërshtuar punonjësi i policisë dhe e ka bërë prezent si fakt tek eprorët e tij.
Gjatë një verifikimi të hollësishëm të pasaportave lëshuar të njëjtit identitet dhe nga një verifikim i gjurmëve të gishtave të këtij shtetasi, është evidentuar se shtetasi i paraqitur me identitet Arben Lazri ka paraqitur identitet të rremë, pasi ky shtetas i përket identitetit të të pandehurit Domjart (Domart) Konjari, i datëlindjes 11.07.1973.


