Presidenti amerikan Donald Tramp u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të vendosin maska në fytyrë vetëm nëse e dëshirojnë një gjë të tillë.
Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në një kohë kur vendi është kthyer në epiqendrën e re të COVID-19 dhe në një kohë kur autoritetet amerikane ende nuk kanë nxjerrë një rregull të qartë për sa i përket mënyrës se si duhet të dalin njerëzit në ambientet e jashtme.
Deri më sot, virusi vdekjeprurës që ka prekur çdo qoshe të planetit ka prekur rreth 260 mijë amerikanë, duke vendosur në vështirësi serioze sistemin shëndetësor amerikan, i cili po ndjen mungesën e kapaciteteve për t’u përballur me një rritje kaq të shpejtë të të prekurve nga ky virus.
Sakaq, autoritetet po u kërkojnë banorëve në vendet e botës që të dalin në rrugë me maska për tu ruajtur nga koronavirusi
“Njerëzit do të jenë të lirë ta respektojnë ose jo. Nuk mendoj se do të jetë e detyrueshme, megjithëse disa njerëz do të donin që ta bënin një gjë të tillë. Pra, nëse njerëzit duan diçka si shembull në vend të maskës mund të përdorin shallin, disa po e bëjnë këtë. Shalli është më i mirë, është më i trashë”, tha Tramp.
Por gjërat se kanë ndryshuar. Studimet e fundit tregojnë se COVID-19 merret dhe nga ajri ndaj maska konsiderohet masë mbrojtëse.
Në SHBA, shumë shtete po i kërkojnë qytetarëve ta aplikojnë këtë. Orët e fundit vendimin e shpalli dhe Los Anxhelos. Ashtu siç ka ndodhur më herët në Nju Jork, edhe banorëve të Los Anxhelosit në SHBA u është kërkuar të mbulojnë fytyrën në publik, raporton rrjeti i njohur amerikan i lajmeve ABC News.
Kryebashkiaku i Los Anxhelosit Erik Garseti (Eric Garcetti) dhe dr. Barbara Ferrer, drejtoreshë e Zyrës së Shëndetit në Los Anxhelos, u kërkuan banorëve të këtij qyteti të përdornin maska prej lecke apo shaje, por jo maska mjekësore.
Sipas dr. Ferrerit, njerëzit duhet të mbulojnë fytyrën jo për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur të tjerët nga stërkalat e tyre. Maskat mjekësore janë me pakicë dhe duhet të ruhen për ata që janë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, shtoi ajo.
Apele të ngjashme bënë dhe po aplikohen nga banorët edhe në disa shtete të tjeta të botës.