Me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams organizoi të martën një tubim të veçantë, gjatë të cilit ai foli mbi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në zhvillimin e qytetit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Adams tha se shqiptaro-amerikanët në Nju Jork përfaqësojnë vlerat që janë pjesë e programit të tij qeverisës, gjë që siç u shpreh ai shton rëndësinë e këtij komuniteti në qytetin që drejton. Në këtë ceremoni folën edhe aktivistë shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të Shqipërisë, të cilët shprehën mirënjohjen për kontributin amerikan në çështjen shqiptare.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, priti komunitetin shqiptaro-amerikan në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut të qytetit, e quajtur “Gracie Mansion”, në një ceremoni kushtuar 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Zoti Adams tha për Zërin e Amerikës se vendimi që ky tubim të organizohet në mjediset e kësaj qendre të njohur historike nuk ishte i rastësishëm.