Anëtarë të dy grupeve kriminale në Shkodër, janë bërë objekt i hetimit pasuror nga Operacioni Forca e Ligjit në Policinë e Shtetit, pasi vëllezërit Lici dhe Cafi në Shkodër duhet të vetëdeklarojnë pasurinë e tyre. Të dyja palët janë me precedentë penale, kryesisht në fushën e trafiqeve, gjobëvënës dhe vrasjeve.
“Shqiptarja.com” zotëron një raport të policisë së Shtetit, që bën fjalë për të kaluarën kriminale të vëllezërve Bledar dhe Gëzim Cafi në Shkodër, që të dy objekt i hetimit nga OFL-ja. Në këtë raport thuhet se dy vëllezërit Cafi ose ndryshe Bokrri, janë të dënuar jashtë dhe brenda vendit. Por kjo nuk i ka penguar ata të ngrenë biznese në qytetin e Shkodrës.
Sipas këtij raporti, Bledar Cafi ose Bokrri, i arrestuar në Francë dhe ekstraduar në Shqipëri si pjesëmarrës në një vrasje rezulton të ketë ngritur biznese në Shqipëri, si Bar-Kafe, një kompani peshkimi në lumin Buna dhe një njësi tregtare të produkteve me shumicë dhe pakicë në Shkodër. Sipas raportit të policisë njësia tregtare është hapur në datën 6 prill 2018 në lagjen “Salo Halili” në Shkodër. Objekti i kësaj njësie tregtare është “Tregtim i artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë”.
Ndërkohë që një biznes tjetër në emër të Bledar Cafit është zbuluar në Shkodër dhe bën fjalë për tregtinë e peshkut. Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër. Rezulton se kjo kompani është themeluar në 10 dhjetor 2001 nga Remzi Galica, Rrok Ndoja dhe Zija Puka.
Objekti i kësaj kompanie është zënie dhe tregti të peshkut në ujërat e liqenit të Shkodrës dhe në lumin Buna. Raporti thekson se tre personat e mësipërm disa vite më vonë ia shesin kompaninë e peshkimit biznesmenit Ilir Mehmetaj. Ky i fundit një vit pasi është bërë pronar i kompanisë, në shtator 2006 vendos t’i shesë kompaninë Dajlani, Bledar Cafit.
Cafi ka blerë 45%të kësaj kompanie, ndërsa 40 për qind ka blerë Alban Xhaka dhe Behan Dragovoja, ka blerë 15% të aksioneve. Në kontratën e lidhur në Shkodër në 21 gusht 2006 përpara noteres Genciana Shkreli, nuk qartësohet asnjë shumë financiare se sa është vlera financiar me të cilën u ble kjo kompani peshkimi. Ndërkohë nga verifikimet e kryera rezulton se vëllai tjetër i Bledar Cafit, Gëzim Cafi, i dënuar për akuzën e “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, nuk ka asnjë pasuri në emër të tij. Pasuria e tij është në emër të bashkëshortes Violeta Cafi.
Në emër të kësaj të fundit është i regjistruar një biznes, Bar-Restorant dhe Hotel në zonën Rrethina në Shkodër. Hoteli sipas burimeve quhet “Zues” dhe komplesi “Prince of lakes”. Ndërsa mësohet se në emër të njërit prej djemve të Gëzim Cafit, ndodhet një biznes Bar-Kafe dhe shezllone me qera në bregdetin e Velipojës në Pulaj. Ky biznes momentalisht ndodhet me status të ç’regjistruar. Ndërkohë raporti policor nuk ka gjetur shumë të dhëna për sa i përket pasurisë së vëllezërve Ibrahim Lici dhe Muhamed Lici. Ibrahim Lici, ndodhet në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Ndërsa vëllai i tij Muhamed Lici është dënuar me disa vite burg dhe tashmë i liruar për akuzën e gjobëvënies ndaj tregtarëve të tregut Zdrale në Shkodër. Të dy vëllezërit nuk gëzojnë pasuri veç një automjeti dhe banesës së babait të tyre, Mustafa Lici.