Shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 do ta paguajnë më pak taksën e re të pronës, që pritet të hyjë në fuqi nga 1 prilli. Aktualisht, taksa fikse e pronës është e diferencuar apo e ndarë në dy fasha, ku për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993, paguhet 15 lekë për metër katror.
Për apartamentet e ndërtuara pas vitit 1993 çmimi është 30 lekë për metër katror. Qeveria do të ndjekë të njëjtin diferencim edhe me taksën e re të apartamenteve, që do të jetë 0,05 për qind e vlerës së shtëpive, llogaritur mbi çmimet fiskale.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, më herët në prezantimin e paketës fiskale dhe buxhetit, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se edhe me taksën e re, nga një taksim fiks te vlera e tregut, do të ketë diferencim për banesat para vitit 1993, si një instrument mbrojtjeje sociale.
“Diferencimi do të bëhet për banesat para vitit 1993, si një instrument mbrojtjeje sociale, dhe ndërtesat që shfrytëzohen e përdoren për veprimtari ekonomike, sërish edhe për këto do të ketë një diferencim”, shpjegoi ministri. Burime nga Ministria e Financave thanë për gazetën se diferencimi për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 do të bëhet nëpërmjet një udhëzimi që do të miratohet nga qeveria.
Qëllimi i diferencimit të taksës së pronës për ndërtesat para vitit 1993 bëhet për shkak të marrjes në konsideratë të kostos së tyre të amortizimit, pavarësisht zonës ku janë ngritur. Pra, këto ndërtime do të kenë një taksë më të ulët se 0,05 për qind. Në udhëzim, Ministria e Financave parashikon të ndjekë të njëjtën logjikë si për ligjin e financave të vetëqeverisjes vendore ku mbi nivelin e taksës së pasurisë së paluajtshme që miraton Kuvendi, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të vendosë një kufi për rritje 30 për qind ose ulje deri në 30 për qind. Për taksën e re të pronës, udhëzimi që do të përgatitet nga Ministria e Financave, do të miratohet nga qeveria, e cila do të vendosë se sa më pak taksë do të paguajnë qytetarët që jetojnë në pallate të ndërtuara para vitit 1993.
SHEMBULL
Në rast se qeveria do të ndjekë të njëjtën logjikë si me ligjin e financave vendore për ulje të taksës 30 për qind, taksa e për apartamentet e ndërtuara para 1993, do të jetë 0,035 për qind. Për këto ndërtesa taksa do të jetë më e ulët, pra qytetarët do të paguajnë më pak. Për ta konkretizuar për qytetarët, po sjellim një shembull. Taksa e re e pronës do të jetë 0,05 për qind e vlerës së shtëpisë, llogaritur me çmimet fiskale.
Në rast se një qytetar banon në një apartament me sipërfaqe 60 metra katror, në zonën e Zogut të Zi, që përkon me zonën kadastrale 11 dhe çmimi fiskal është 87 mijë lekë për metra katror, çmimi i shtëpisë llogaritet 5,220,000 lekë. Nëse apartamenti i kësaj familjeje është ndërtuar pas vitit 1993, taksa që do të paguhet do të jetë 2610 lekë. Në rast se apartamenti është ndërtuar para vitit 1993, taksa do të jetë më e ulët se niveli 0,05 për qind për shkak të kostove të amortizimit.
Nëse për këtë pallat taksa diferencohet me 30 për qind nga kufiri i përcaktuar me ligj, kësaj familjeje taksa do t’i llogaritet me 0,035 për qind të vlerës së shtëpisë. Duke iu referuar pikërisht zonës së Zogut të Zi dhe apartamentit me një sipërfaqe 60 metra katror të ndërtuar para 1993, taksa që do të paguhet do të jetë 1,827 lekë. Pra, kjo familje që banon në një apartament të një pallati të ndërtuar para ’93, do të paguajë 783 lekë më pak se një familje që banon në një pallat të ndërtuar pas këtij viti.
TAKSA FIKSE E PRONËS
15 lekë për metër katror është aktualisht taksa për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 30 lekë për metër katror është aktualisht taksa për apartamentet e ndërtuara pas vitit 1993
TAKSA E PRONËS MBI VLERËN
0,05 për qind mbi vlerën e shtëpisë, llogaritur sipas çmimeve fiskale që përdorin zyrat e regjistrit të pasurive të paluajtshme, do të jetë taksa e re e pronës Apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 do të paguajnë më pak, pasi taksa e tyre do të jetë më pak se 0,05 për qind.
DIFERENCIMI PËR SHTËPITË PARA 1993
Diferenca nga kufiri i taksës së lejuar për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 do të përcaktohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave 30 për qind më shumë ose minus 30 për qind ka të drejtë Këshilli Bashkiak të vendosë taksën e pronës mbi kufirin që miratohet nga Parlamenti për të gjitha kategoritë