Profesori la një trashëgimi të pasur me vlera shkencore dhe praktike me vlerë për shkencën dhe ekonominë e vendit. Ndarja nga jeta e Profesorit është një humbje e madhe për familjen e tij, kolegët, bashkëpunëtorët, mbarë komunitetin shkencor e universitar, shoqërinë civile e atë prodhuese. Ka shkruar një mori studimesh, artikujsh e referatesh në shtypin shkencor. Ndërmjet studimeve të shumta spikatin 6 studime të emërtesës së Këshillit të Ministrave
Është ndarë nga jeta prof. dr. Niko Pano, një nga bashkëpunëtorët më të vjetër të institucioneve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Prof. Pano, lindi më 16 shtator 1937 në Vlorë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Odesës dhe në vitin e fundit u diplomua në Institutin e Hidrometeorologjisë më 1960 në Leningrad (sot San Petërburg). Filloi punën në Institutin e Hidrometeorologjisë së Akademisë së Shkencave si inxhinier hidrolog duke pasur edhe detyra shkencore e drejtuese: përgjegjës i sektorit të hidrologjisë (1960–1986), nëndrejtor i Institutit Hidrometeorologjik (1990–1992). Ai ishte pedagog i jashtëm i lëndës së hidrologjisë në degën e gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Është bashkautor i monografive “Ngjarjet e jashtëzakonshme atmosferike në Shqipëri” (1967); autor i studimit “Ligjshmëria e depërtimit të ujërave të detit Jon në Adriatik” (1973); “Hidrologjia e Shqipërisë” (1984); “Gjeografia fizike e Shqipërisë” (1990) etj. Kryetar i shoqatës “Mbrojtja dhe Rruajtja e Ujërave të Shqipërisë”; Autor i Monografisë: ” Pasuritë Ujore të Shqipërisë”. Botim i Akademisë së Shkencave, viti 2008; Autor i Projektit të HEC të Skavicës në lumin Drini i Zi, për hidrologjinë, viti 2010; Autor i studimeve hidrologjike rajonale
për sistemin hidrografik “Liqeni i Prespës – Liqeni i Ohrit Lumi Drini i Zi, sistemi hidrografik: Lumi Drin – Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna, Delta e Lumit Buna në detin Adriatik, vitet 2008 – 2013; Anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për
Hidroekonominë Shqipëri – Maqedoni dhe Shqipëri – Mali i Zi, vitet 1970 – 1985.
Rrjeti hidrografik i lumit Drin shquhet për individualitetin e tij të veçantë dhe të përsosur natyror, si dhe për potencialin e lartë dhe të shumëllojshëm hidrik. Ky rrjet krahas vlerave të larta estetike shërben edhe për zhvillime ekonomike të vendit tonë si për të tashmen ashtu edhe për perspektivën.
Ka shkruar një mori studimesh, artikujsh e referatesh në shtypin shkencor. Ndërmjet studimeve të shumta spikatin 6 studime të emërtesës së Këshillit të Ministrave.
Më 1984, Niko Pano për meritat e tij dekorohet nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” e më pas me “Medalje Pune” me motivacionin “Për arritje të mira në studimet shkencore hidrologjike për vlerësimin e pasurive ujore të Shqipërisë”.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për punën e tij me pasion dhe me cilësi, e ka vlerësuar gjithmonë prof. Panos. Kështu, më 2015 prof. dr. Niko Pano u nderua me medaljen “Nderi i Akademisë” me motivacion “Për kontributin e shquar në shërbimin hidrometeorologjik, në realizimin e kërkimeve e botimeve në fushën të pasurive ujore të Shqipërisë, si dhe atë në fushën e arsimit e të edukimit të brezave të rinj e specialistëve”.
Gjithashtu, për monografinë shkencore “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të edicionit të parë të Çmimeve Shkencore të Akademisë për vitin 2016 për studimet dhe botimet më të arrira, ai u vlerësua me çmimin shkencor “Radovicka”. Vepra e tij u vlerësua me motivacionin “Vepra shkencore ‘Pasuritë ujore të Shqipërisë’, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut të shquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim-zhvillim, si dhe në fushën e arsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj”.
Prof. Niko Pano deri në ditët e fundit ka punuar për daljen në dritë të botimit të ri shkencor “Hapësira bregdetare Divjakë – Karavasta në Adriatik”, për të cilin në krye të një grupi specialistësh, ai kontribuoi për të paraqitur një studim integral të zonës me qëllim final rikuperimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të kësaj hapësire me rëndësi dhe me bukuri të rrallë natyrore.
Profesori la një trashëgimi të pasur me vlera shkencore dhe praktike me vlerë për shkencën dhe ekonominë e vendit.
Ndarja nga jeta e Profesorit është një humbje e madhe për familjen e tij, kolegët, bashkëpunëtorët, mbarë komunitetin shkencor e universitar, shoqërinë civile e atë prodhuese.