TIRANE- Në një tryezë të përbashkët me DASH, dy ministrat, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri folën për një reformë në sektorin e hidrokarbureve që nis me ndryshimin e kontratave të lidhura deri më tani e ka si qëllim të thjeshtojë legjislacionin si dhe të tërheqë më shumë investitorë.
Për të rregulluar sa më mirë marrëdhëniet me firmat e huaja që duan të investojnë ministri Gjiknuri propozoi ndryshimin e modelit të kontratave. Ai tha gjithashtu se Albpetrol pritet të kalojë në një proces ristrukturimi.
“Pasuritë e naftës dhe gazit shpesh janë bërë burim konfliktesh. Ka pasur përplasje mes qeverisë dhe kontraktorëve private, prandaj ka ardhur momenti të ndryshojmë modelet e kontratave. Po punojmë me ministrinë e Financave edhe me asistencë ndërkombëtare. SHBA do të na ofrojnë një model më të qëndrueshëm që të ulim edhe kostot e monitorimit, dhe të bëjmë një sistem më të thjeshtë fiskal. Të përfitojmë të ardhurat tona që në fuqinë e parë të naftës. Ne jemi për respektimin e marrëveshjes, por pse jo të hapim diskutim të drejtë që secila palë të marrë atë që i takon. Jemi kujdesur të përmirësojmë termat e përfitimit, që shteti shqiptar të marrë nga 10 në 15%”,- u shpreh ministri Gjiknuri.
Nga ana e tij ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj tha se i gjithë ky strukturim ka si qëllim të krijojë një mjedis sa më të mirë për investitorët e huaj në Shqipëri. Ai tha se shumë shpejt brenda Ministrisë së Financave do të ngrihet një njësi e specializuar që do të monitorojnë marrëveshjet me kompanitë.
“Shqipëria ka naftë ka dhe gaz. Pyetja e një qeverie është a po e nxjerrim siç duhet? Si po e përdorim dhe a po merr buxheti i shtetit atë që i takon? Ne kemi një histori në të kaluarën, mënyra si janë trajtuar marrëveshjet lë shumë për të dëshiruar. Ndaj kemi pasur konflikte me kompanitë për shkak të zonave gri tek marrëveshjet. Për t’i identifikuar këto zona, që t’ju japim mundësi investitorëve të jenë më të rehatshëm do ndërmarrim këto hapa”,- tha ai.