Qendra e re e kardiokirurgjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ e dyta pas QSUT është gati dhe do të hapet së shpejti.
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka publikuar pamje nga spitali “Shefqet Ndroqi”, duke bërë me dije se edhe pak dhe është gati qendra e re e kardiokirurgjisë.
Rama shkruan se ky është një investim për të zgjeruar mundësinë e kryerjes së ndërhyrjeve të vështira në zemër që do të jetë falas për qytetarët.
“Mirëmëngjes. Pandemia nuk e ka ndalur punën për transformimin e infrastrukturës shëndetësore. Edhe pak është gati qendra e re e kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Një investim i qeverisë shqiptare për të zgjeruar mundësinë e kryerjes së ndërhyrjeve të vështira në zemër, falas për qytetarët, në qendrën e dytë publike të kardiokirurgjisë në vend”, shkruan Rama.
Ka qenë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila dy vite më parë bëri me dije planin për hapjen e këtij shërbimi te Shefqet Ndroqi, duke thënë se do të ulet listë-pritja për kryerjen e koronarografive për pacientët me probleme kardiake.