Orëve të para të 14 janarit të këtij viti, një makinë Policie, e cila gjendej në mbikalimin e Kasharit, u përball me një mjet tjetër që po vinte me shpejtësi nga rruga dytësore.
Drejtimin e kishte nga Rinasi. Duke parë orën e papërshtatshme të kësaj lëvizjeje dhe shpejtësinë, policia tentoi ta ndalonte mjetin, por drejtuesi i saj lëvizi me agresivitet duke iu ikur në rrugën e Rinasit dhe më tej drejt Fushë-Krujës.
Mjeti me dy punonjësit e Policisë iu vu pas makinës në të cilën u dyshua se ishin dy persona, ndërsa në FushëKrujë makina e arratisur përplaset me një bordurë anësore. Policia i afrohet, por ata duke u ndjerë të kërcënuar nxorën armët dhe qëlluan në drejtim të tyre. Me dy personat që kishin mundur të shquanin policët ishte dhe një i tretë.
Ata braktisen mjetin dhe duke përdorur armët arritën të hyjnë në zonën e Larushkut për të humbur gjurmët fizike, po jo shenjat që do t‘i identifikonin më vonë. Ose të paktën policia dhe disa prokurori janë të bindur se ka qenë pikërisht ky fakt që i ka ndihmuar të bjerë në gjurmët e një grupi të rrezikshëm kriminal. Dje kryepolici dhe kryeprokurorja e Tiranës dolën e dhanë detaje, duke treguar se këta persona që sulmuan policinë duke u gdhirë 14 janari janë që nga grabitës ordinerë xhepash e marketesh e deri te vrasës me pagesë.
OPERACIONI
Policia dhe Prokuroria e Tiranës bënë me dije se kanë vënë në pranga Ibrahim Difajn nga Kurbini, i cili rezulton të ketë qenë në mjetin që kundërshtoi me armë punonjësit e policisë me 14 janar. Bashkë me të policia thotë se ka qenë edhe Shpëtim Kraja, i cili ende nuk është arrestuar dhe një vajzë 30 vjeç. Gjatë mbajtjes nën vëzhgim dhe përgjim të këtyre personave të identifikuar shpejt, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit dhe Tiranës kanë mundur të zbulojnë katër vjedhje dhe një tentativë vrasjeje që lidhet me një porosi të bërë nga një tjetër i prangosur.
Bëhet fjalë për 52- vjeçarin Robert Laçi nga Fushë-Krujë. Sipas verifikimeve është bërë e mundur të zbardhet atentati i dështuar në 17 gusht të vitit të kaluar, ku sipas informacioneve zyrtare në Adriatik të Fushë-Kuqes u qëllua mbi mjetin e një punonjësi hidrofori. Bëhej fjalë për shtetasin Alfred Gjoka nga Kruja. Sipas hetimit, Laçi iu ka dhënë dy personave 20 mijë euro për ta ekzekutuar Gjokën, por për fatin e tij atentati dështoi dhe Gjoka mundi të largohej me kamionçinën e tij. Hetimi ka konstatuar se në këtë atentat është përfshirë Ibrahim Difaj me Ilirian Feçin, ky i fundit një emër i njohur për drejtësinë brenda dhe jashtë vendin.
TË ARRESTUARIT
Zyrtarisht u bë me dije se janë ndaluar Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin; Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje; Robert Laçi, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë; Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike. Po ashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi Erion Mulaj, 30 vjeç, banues në Durrës si dhe janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit M. M., 67 vjeç, banues në Durrës dhe E. V., 30 vjeçe, banues në Kurbin. Ndërkohë që i shpallur në kërkim është Shpëtim Kraja.


